Të shtënat me armë zjarri në një qendër tregtare në Kaliforni, mbrëmjen e djeshme, lanë një person të vdekur dhe gjashtë të tjerë të plagosur.
Sipas shefit të policisë lokale, Dan Marshall, ngjarja u regjistrua rreth orës 8:30 të mbrëmjes në dyqanin Spirit Halloween, brenda qendrës tregtare Solano Town Center në Fairfield.
Të lidhura
None found
Viktima humbi jetën në vend, ndërsa të plagosurit u transportuan në spitalet e zonës. Tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike moshat apo identitetet e personave të përfshirë. Ende nuk dihet kush e kreu sulmin, nëse ishte një apo disa autorë, si dhe cili ishte motivi.
Dyqani ishte i mbushur me klientë në momentin e të shtënave; shumë prej tyre po blinin kostume, dekorime dhe artikuj të tjerë për Halloween.
Një burrë tregoi se bashkëshortja e tij, e cila ndodhej në dyqan, kishte dëgjuar rreth shtatë të shtëna.
“Ajo më tha se kishte dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe më pas kishte parë njerëz që vraponin, bërtisnin dhe qanin”, u shpreh ai.
Një tjetër dëshmitar tha se një punonjëse e Spirit Halloween kishte vrapuar drejt një restoranti aty pranë për t’u strehuar.
“Isha në Chipotle kur hyri një vajzë që punonte në Spirit dhe tha se ata hynë dhe nisën të qëllonin”, tha dëshmitari.






