Erjon Vishkulli nga spitali në Romë: Mirënjohje për shqiptarët që më qëndruan pranë në ditët e vështira

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i plagosur në sy gjatë një prej protestave studentore, ka përcjellë një mesazh falënderimi nga shtrati i spitalit “Policlinico Gemelli – Roma”. Ai u është drejtuar të gjithë shqiptarëve që e kanë mbështetur gjatë këtyre ditëve të vështira.

Vishkulli ka shprehur mirënjohjen e veçantë për shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo në botë, të cilët i kanë qëndruar pranë përmes mesazheve, telefonatave, fjalëve të ngrohta dhe lutjeve.

Të lidhura

None found

“Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara. Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua”, shkruan i riu.

Ai u godit në sy nga një plumb gome dhe, pas transportimit me urgjencë në Spitalin e Traumës, mjekët përcaktuan se nevojitej një ndërhyrje e specializuar jashtë vendit. Për këtë arsye, autoritetet shtetërore morën menjëherë masat për dërgimin e tij në Romë.

Mjekët italianë kryen ndërhyrjen e specializuar në sy, e cila fatmirësisht përfundoi me sukses. Aktualisht, Erjon Vishkulli ndodhet në fazën e rikuperimit të shikimit. Ndërkohë, në Tiranë, Prokuroria ka nisur hetimet ndaj oficerit që qëlloi me pushkë.

“Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.

Mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, jetën dhe shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.

Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Mirënjohje pafund, u shtofshin Shqiptarët e mirë”, përfundon mesazhi i Erjon Vishkullit.


Shtuar më 31.10.2026 10:49