Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Istog

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që Zhikica Belosoviq dhe Gruica Belosoviq të qëndrojnë një muaj në paraburgim. Ata dyshohen për kryerje të përbashkët të krimeve të luftës në rastin e njohur si “Masakra e Padalishtës”, në komunën e Istogut.

Sipas gjykatës, paraburgimi është masë e përshtatshme në këtë fazë të procedurës, pasi ekziston rreziku që të dyshuarit, nëse do të liheshin të lirë, të pengonin zhvillimin e rregullt të procedurës penale, t’i shmangeshin ndjekjes ose të bëheshin të paarritshëm për drejtësinë.

Të lidhura

None found

Gjykata e ka mbështetur këtë vlerësim edhe në faktin se të pandehurit janë shtetas të Republikës së Serbisë. Për këtë arsye, është konstatuar se ekziston rrezik konkret që ata të largohen për t’iu shmangur ndjekjes penale dhe për t’i ikur drejtësisë.

Vendimi përcakton se paraburgimi është masa e vetme që garanton zhvillimin e papenguar të procedurës penale në këtë rast.

Kundër këtij aktvendimi, palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.


Shtuar më 30.10.2026 21:09