Kanadaja dhe Bashkimi Europian kanë rënë dakord të krijojnë një aleancë të re strategjike, të pagëzuar “Aleanca për të Ardhmen”. Nisma synon forcimin e lidhjeve ekonomike, tregtare, teknologjike dhe të sigurisë, në kushtet e rritjes së pasigurisë gjeopolitike.
Shpallja u bë në Montreal, gjatë samitit dyditor Kanada-BE, ku ishin të pranishëm kryeministri kanadez Mark Carney, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian António Costa.
Të lidhura
None found
Palët synojnë të ndërtojnë një treg më të ndërlidhur, të bëjnë më të lehtë tregtinë dhe udhëtimin, si dhe të zgjerojnë mundësitë për arsimim e punësim për qytetarët kanadezë dhe europianë.
Marrëveshja parashikon gjithashtu reduktimin e varësisë nga teknologjia dhe furnizuesit amerikanë të mbrojtjes. Për këtë qëllim, Kanadaja dhe BE-ja do të punojnë për krijimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe për diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit.
Bashkëpunimi do të shtrihet në fusha si inteligjenca artificiale, energjia, mbrojtja dhe sigurimi i mineraleve kritike. Studiuesit nga Kanadaja do të mund të përdorin rrjetin europian të superkompjuterëve, ndërsa negociatat për një marrëveshje të re të tregtisë dixhitale kanë përfunduar.
Një prej elementeve të marrëveshjes është edhe mundësia që Kanadaja të bëhet anëtare e asociuar e Bashkimit Europian. Nëse realizohet, ajo do të ishte partneri i parë që merr këtë status, ndërsa hollësitë për përmbajtjen dhe shtrirjen e anëtarësimit pritet të përcaktohen gjatë muajve të ardhshëm.
Mark Carney dhe drejtuesit europianë e kanë përshkruar aleancën si një hap të rëndësishëm për rritjen e sovranitetit ekonomik, sigurisë dhe qëndrueshmërisë përballë sfidave globale.
Nisma nuk ka kaluar pa kundërshti në Kanada. Kryeministri i Kebekut, Paul St-Pierre Plamondon, nuk mori pjesë në samit, duke shprehur kritika ndaj mënyrës se si qeveria federale kishte trajtuar rolin e provincës në këtë proces.






