Përparim Rama merret në pyetje si i pandehur për tenderin 12-milionësh “Arkitekti i Kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u intervistua të premten nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në cilësinë e të pandehurit. Seanca e pyetjeve lidhet me hetimet për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, kontrata e të cilit kishte një vlerë të parashikuar prej 12 milionë eurosh.

Sipas Prokurorisë Speciale, Rama dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Intervistimi u zhvillua në kuadër të rastit penal të emërtuar “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Të lidhura

None found

“Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

Rama mbërriti në ambientet e Prokurorisë Speciale rreth orës 13:30, i shoqëruar nga avokati Artan Qerkini. Marrja në pyetje zgjati më shumë se dy orë.

Para se të hynte në Prokurori, kryetari i Prishtinës nuk tregoi nëse ishte thirrur si i dyshuar apo si dëshmitar. Avokati Qerkini deklaroi se statusi i tij do të sqarohej pas përfundimit të intervistimit.

“Detyra jem është me ndërtu Kryeqytetin, detyra e tyre është me e pa se krejt bëhet në mënyrë ligjore”, u shpreh shkurt Rama para gazetarëve.

Pas përfundimit të intervistimit, Rama deklaroi se do të vazhdojë të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, tha ai, duke shtuar: “jemi totalisht transparentë”.

Komuna e Prishtinës e kishte shpallur më 22 korrik 2022 tenderin për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”. Kontrata ishte parashikuar të zgjaste 36 muaj, ndërsa vlera e saj ishte caktuar në 12 milionë euro.

Rama e kishte mbrojtur nismën me argumentin se administrata komunale nuk kishte kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar numrin e madh të projekteve. Sipas tij, shërbimi do të përfshinte angazhimin e më shumë se 60 personave, përfshirë konsulentë të arkitekturës, infrastrukturës dhe planifikimit urban.

Që në fazat e para, tenderi ishte shoqëruar me pretendime për shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik. Raportimet e vitit 2024 theksonin se konsorciumi fitues, i përbërë nga kompanitë “Anarch” dhe “Ardi Ç”, kishte dorëzuar një sigurim tenderi prej 12 mijë eurosh, shumë që ishte dhjetë herë më e ulët se minimumi i përcaktuar me ligj.

Po ashtu, ishte raportuar se arkitekti Astrit Nixha, pronar i njërës prej kompanive fituese, kishte pasur më herët marrëdhënie pune me një biznes të kryetarit Rama.

Organizata Demokraci Plus kishte ngritur pretendime për konflikt interesi, duke thënë se njëri prej anëtarëve të komisionit vlerësues ishte i regjistruar si bashkëpunëtor i kompanisë fituese Anarch Sh.P.K.

Projekti është kundërshtuar vazhdimisht edhe nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Ata kanë vënë në pikëpyetje nevojën për një kontratë të tillë, sidomos për shkak se Përparim Rama është vetë arkitekt me profesion.

Thirrja e Ramës në Prokurori ndodhi disa ditë pasi deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, publikoi në Facebook mesazhin: “Përparim Rama… tik tak, tik tak…”. Shkrimi u pa si një paralajmërim për veprime të mundshme ndaj kryetarit të Prishtinës.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Prokuroria Speciale nuk kishte njoftuar nëse ndaj Ramës do të ndërmerreshin masa të tjera procedurale.

Fakti që Përparim Rama është intervistuar si i pandehur nuk përbën dëshmi fajësie. Ai, sikurse çdo person tjetër, konsiderohet i pafajshëm derisa përgjegjësia penale të vërtetohet me një vendim të formës së prerë nga gjykata.


Shtuar më 30.10.2026 20:24