Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, u largua nga posti më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Ngjarja shkaktoi protesta dhe thirrje për përgjegjësi institucionale.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse dorëheqja lidhej me mënyrën se si institucionet e trajtuan rastin, Hoxha u përgjigj se ajo “lidhet me dorëheqje morale”. Ai nuk sqaroi nëse, me këtë shprehje, po merrte përgjegjësi për mangësitë institucionale.
Të lidhura
None found
Zyra e Kryeministrit njoftoi po atë ditë se Albin Kurti e kishte pranuar dorëheqjen dhe e kishte liruar Hoxhën nga detyra. Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti emëroi Fehmi Hotin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në njoftimin e Qeverisë thuhej se ajo “e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”. Nuk u bënë publike arsyet e dorëheqjes.
Largimi ndodhi teksa institucionet e sigurisë dhe drejtësisë po përballeshin me kritika për trajtimin e rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj. Një ditë përpara dorëheqjes, Policia e Kosovës pezulloi 11 zyrtarë policorë për shkak të mënyrës se si ishte trajtuar rasti.
Të pezulluarit përfshijnë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefin e hetimeve rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e stacionit policor, drejtues të tjerë policorë, si dhe katër hetues.
Pezullime pati edhe në prokurori. Nga detyra u larguan përkohësisht kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri, e cila e kishte trajtuar çështjen.
Vrasja e Arlinda Zekajt, 49 vjeçe, u pasua nga protesta në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës. Pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për të dhe përgjegjësi nga institucionet e përfshira në trajtimin e rastit.
Çfarë mangësish u evidentuan në rastin Zekaj?
Gjetjet paraprake të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) treguan se Policia nuk kishte dokumentuar zbatimin e urdhrit për mbrojtjen e Zekajt nga bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj. Gjykata Themelore në Pejë e kishte nxjerrë urdhrin më 7 shtator, pas raportimeve për dhunë në familje.
Sipas IPK-së, Policia e zbatoi me gjashtë ditë vonesë një vendim tjetër të Gjykatës, të datës 16 tetor. Ai vendim, ndër të tjera, i lejonte Zekajt të kthehej në shtëpinë e përbashkët dhe të kishte kujdestarinë e përkohshme të djalit.
Inspektorati konstatoi gjithashtu se zinxhiri komandues policor nuk kishte trajtuar kërkesën e një hetuesi për rivlerësimin e rastit dhe për shtimin e masave mbrojtëse. Këto përfshinin edhe vizitat e patrullave policore në banesën e Zekajt.
Më 29 tetor, Kuvendi i Kosovës krijoi një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me rastin. Në të njëjtën datë, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se kishte marrë raportet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të shqyrtoheshin për të përcaktuar mangësitë dhe përgjegjësitë institucionale.
Kush është Gazmend Hoxha?
Hoxha u emërua drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars 2023, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai e mori zyrtarisht detyrën më 13 mars, duke zëvendësuar Fehmi Hotin, i cili deri atëherë kishte qenë ushtrues detyre.
Ai iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000 dhe gjatë karrierës së tij drejtoi disa njësi, mes tyre Departamentin kundër Krimit të Organizuar, Divizionin e Sigurisë Publike dhe Departamentin e Operacioneve.
Biografia zyrtare e Hoxhës përmend angazhimin e tij në drejtimin dhe planifikimin e disa operacioneve policore. Ato përfshinin zbatimin e vendimeve për targat e automjeteve, mbylljen e rrugëve ilegale dhe luftimin e veprimtarive të paligjshme në Kosovë.
Hoxha largohet nga drejtimi i Policisë pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë në këtë funksion.





