Barcelona po punon për të gjetur një qendërmbrojtës që mund t’i bashkohet ekipit gjatë afatit kalimtar të janarit dhe të përshtatet menjëherë me filozofinë e trajnerit Hansi Flick, raporton eksperti i transferimeve Matteo Moretto.
Reparti defensiv i katalunasve është dobësuar nga dëmtimet dhe mungesa e alternativave të mjaftueshme, një problem që u bë edhe më i dukshëm pas humbjeve të fundit ndaj Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit.
Të lidhura
None found
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit katalunas po shqyrtojnë mundësinë e një përforcimi në mbrojtje gjatë merkatos së janarit. Një prej kandidatëve është Natan, qendërmbrojtësi brazilian që aktivizohet te Real Betisi.
Futbollisti ka shfaqur qëndrueshmëri në paraqitjet e tij me skuadrën nga Sevilla dhe emri i tij ishte lidhur me Barcelonën edhe në afatin kalimtar të verës së kaluar.
Mundësitë për një marrëveshje mund të rriten edhe nga synimi i Natanit për të marrë pasaportën spanjolle.
Nëse braziliani pajiset me këtë dokument, Barcelona do të mund ta regjistrojë atë pa përdorur një nga vendet e rezervuara për lojtarët që nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, në listën e objektivave të klubit nuk ndodhet vetëm Natan. Moretto ka përmendur edhe Alessandro Bastonin e Interit, të cilin Barcelona u përpoq ta transferonte gjatë verës.
“Bastoni dhe Interi janë të kënaqur me njëri-tjetrin, por, duke parë drejt verës së ardhshme, nëse vjen një ofertë shumë e lartë, Interi mund ta shqyrtojë atë dhe ta lejojë largimin e tij”, deklaroi Moretto.






