Gjatë mbrëmjes së kaluar, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), së bashku me Policinë e Kosovës, inspektoi operatorë ekonomikë në disa komuna të veriut të Republikës së Kosovës. Kontrollet synuan verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë dhe të respektimit të kushteve për ushtrimin e aktiviteteve afariste.
Inspektorët mbyllën gjithsej shtatë biznese për shkak se nuk përmbushnin kushtet minimale teknike: pesë në Mitrovicë dhe dy në Komunën e Zveçanit.
Të lidhura
None found
Gjatë aksionit u evidentua edhe një biznes që punonte në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Për shkeljet e gjetura, përveç mbylljes së bizneseve, operatorëve ekonomikë iu shqiptuan shtatë gjoba.
IQMT-ja njofton se inspektimet do të vijojnë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me synimin për të siguruar zbatimin e ligjit, formalizimin e veprimtarisë ekonomike dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Institucioni u bën thirrje operatorëve ekonomikë të plotësojnë kushtet minimale teknike dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre në pajtim me legjislacionin në fuqi.






