E ftuar në emisionin “Prime” të RTK-së, ish-ambasadorja Vjosa Dobruna komentoi rastin e Arlinda Zekajt dhe situatën e të drejtave të grave në Kosovë. Ajo akuzoi institucionet se nuk kanë siguruar mbrojtje të mjaftueshme për gratë që përballen me dhunë.
Dobruna e cilësoi ngjarjen veçanërisht të rëndë, pasi, sipas saj, viktima e kishte kuptuar rrezikun me të cilin përballej dhe kishte kërkuar ndihmë për t’u mbrojtur.
Të lidhura
None found
“Është e tmerrshme që po flasim sot për këtë ngjarje dhe fatkeqësisht ajo ka ndodhur. Tragjedia bëhet edhe më e madhe sepse Erlinda Zekaj ishte një grua e mençur dhe e vetëdijshme. Prej vitesh jemi përpjekur t’i edukojmë gratë që ta denoncojnë dhunën dhe t’i bindim se duhet të raportojnë. Ajo vetë kishte ndërmarrë të gjithë këta hapa dhe çdo ditë e kishte parë se do të vdiste. Është edhe më tragjike që sistemi jo vetëm ka dështuar, por ka krijuar një situatë ku çdo grua në Kosovë mund të jetë e cenuar. Pavarësisht sa e vetëdijshme është për rreziqet, ajo mund të sulmohet dhe të mos ketë askënd që ta mbrojë. Sistemi ka dështuar”, deklaroi Dobruna.
Sipas ish-ambasadores, problemet me mbrojtjen e të drejtave të grave nuk kanë nisur së fundmi, por janë të pranishme prej shumë vitesh.
“Nuk duhet ta kufizojmë këtë dështim vetëm në të tashmen, pasi sistemi ka dështuar shumë kohë më parë. Ai është ndërtuar në një mënyrë që nuk garanton mbrojtjen e të drejtave të grave. Në dokumente, këto të drejta janë të gjitha të përcaktuara. Kushtetuta i përfshin konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ato janë të zbatueshme në Kosovë. Edhe marrëveshje të miratuara pas Kushtetutës së Kosovës, si Konventa e Stambollit, janë aprovuar dhe në letër zbatohen në Kosovë. Në praktikë, sistemi është organizuar në atë mënyrë që askush të mos mbajë përgjegjësi dhe të mos ketë mbrojtje, jo vetëm për jetën, por as për dinjitetin e gruas”, u shpreh Dobruna.





