Pas pesë vitesh në hapësirë dhe përshkimit të më shumë se 3.5 miliardë kilometrave, sonda Lucy e NASA-s ka mbërritur pranë grupit të asteroidëve trojanë që ndodhet përpara Jupiterit.
Këta trupa qiellorë janë objektivi kryesor i misionit, pasi vëzhgimi i tyre nga afër mund të sjellë të dhëna të rëndësishme për origjinën dhe formimin e Sistemit Diellor.
Të lidhura
None found
Asteroidët trojanë lëvizin në të njëjtën orbitë me Jupiterin rreth Diellit. Ata janë të organizuar në dy grupe, ku njëri ndodhet përpara planetit gjigant, ndërsa tjetri pas tij. Për shkencëtarët, këto objekte përfaqësojnë mbetje të hershme të periudhës kur u krijua Sistemi Diellor dhe mund të ndihmojnë për të kuptuar formimin e planetëve, si edhe mënyrën se si ata arritën në pozicionet e sotme.
Kontaktin e parë të afërt me një prej tyre, Eurybates, Lucy pritet ta realizojë në gusht të vitit 2027. Me një diametër prej rreth 70 kilometrash, asteroidi mendohet se i përket një grupi me më shumë se 200 fragmente, të formuara pas një përplasjeje të madhe miliarda vjet më parë.
Meqë vëzhgimi do të zgjasë vetëm disa orë, ekipi shkencor po kontrollon dhe përgatit instrumentet dhe sistemet e sondës për të mbledhur sa më shumë informacion. Misioni deri tani po zhvillohet sipas planit, ndërsa Lucy po përshtatet me temperaturat më të ulëta dhe ndriçimin më të dobët diellor të kësaj zone, e cila gjendet rreth pesë herë më larg nga Dielli sesa Toka.
Kalendari i misionit parashikon që pas Eurybates, sonda të vëzhgojë Polymele në shtator 2027, Leucus në prill 2028 dhe Orus në nëntor 2028.
Një rikthim pranë Tokës është planifikuar për vitin 2030. Lucy do të përdorë shtytjen gravitacionale për të vazhduar drejt grupit tjetër të trojanëve, atij që ndjek Jupiterin. Në mars të vitit 2033, ajo pritet të studiojë çiftin e asteroidëve Patrokl dhe Menoet.
Lucy është mjeti i parë hapësinor i ndërtuar posaçërisht për eksplorimin nga afër të asteroidëve trojanë të Jupiterit. Të dhënat e misionit mund t’u mundësojnë shkencëtarëve të rindërtojnë historinë e hershme të Sistemit Diellor.







