Në përfundim të një takimi të rëndësishëm politik, Partia Komuniste e Kinës përjashtoi 33 anëtarë, numri më i lartë i regjistruar deri tani. Gjatë mbledhjes u theksua rëndësia e disiplinës partiake dhe e luftës kundër korrupsionit.
Takimi i pestë plenar u mbajt në Pekin, ku morën pjesë 279 anëtarë të Komitetit Qendror, dukshëm më pak se në takimet e mëparshme. Për herë të parë në 14 vitet e udhëheqjes së Xi Jinping, pjesëmarrësit ishin më pak se 300.
Të lidhura
None found
Përjashtimet vijnë në një kohë kur presidenti Xi po shton përpjekjet për të forcuar kontrollin mbi partinë dhe ushtrinë. Gjysma e 33 zyrtarëve, pra 16 prej tyre, ishin pjesë e ushtrisë. Ata u akuzuan për shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit, por nuk u dhanë hollësi për akuzat.
Mes emrave të rëndësishëm të përjashtuar janë Ma Xingrui, ish-kreu i Partisë në Xinjiang, si dhe gjeneralët e lartë Zhang Youxia dhe Liu Zhenli. Në listë është edhe diplomati Liu Jianchao, i cili nuk është parë në publik që nga korriku i vitit të kaluar.
Largimet në nivelet e larta ushtarake kanë shtuar pasigurinë lidhur me drejtimin e ushtrisë kineze dhe gatishmërinë e saj luftarake. Komisioni Qendror Ushtarak, që ka nën kontroll forcat e armatosura, tashmë ka vetëm dy anëtarë: Xi Jinping si kryetar dhe Zhang Shengmin si nënkryetar.
Që prej vitit 2012, Xi e ka bërë luftën kundër korrupsionit një nga shtyllat kryesore të qeverisjes. Analistët, megjithatë, thonë se fushata po përdoret gjithnjë e më tepër për të siguruar besnikërinë politike dhe për të larguar zyrtarët që shihen si të pabindur ndaj udhëheqjes.




