Avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, tha se i qëndron ankesës së dorëzuar në Gjykatën e Apelit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Ai deklaroi gjithashtu se pret që vendimi i Apelit të përmbajë një arsyetim më të detajuar për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura.
Syla u shpreh se nuk mund të komentojë gjerësisht për mbylljen e seancës, pasi edhe arsyetimi për këtë vendim është dhënë në një seancë të mbyllur. Sipas tij, sqarimet e plota pritet të bëhen të ditura në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Të lidhura
None found
Në lidhje me ankesën, ai tha se familja e të ndjerës vazhdon të mbështesë pretendimin se vrasja nuk do të ndodhte pa përfshirjen e Kushtrim Kokallës.
Avokati pretendoi se Kokalla kishte qenë i angazhuar në këtë çështje që në fazat e para dhe se nuk ishte takuar me të tjerët vetëm dy javë përpara ngjarjes, siç është deklaruar më herët në seanca.
Sipas Sylës, pala e dëmtuar i ka paraqitur gjykatës prova që tregojnë se një vit para vrasjes ishte tentuar të kryhej ekzekutimi i Liridona Ademajt. Ai tha se gjatë asaj periudhe ishin provuar edhe mënyra të tjera për realizimin e krimit, por pa sukses.
Familja Ademaj ka kërkuar që të akuzuarit të cilësohen si pjesëtarë të krimit të organizuar dhe vepra të rikualifikohet. Syla deklaroi se kërkesa për të tre është dënimi me burgim të përjetshëm, qëndrimi i të cilit, sipas tij, do të ruhet deri në fund, pasi asnjë dënim tjetër nuk do ta pasqyronte plotësisht krimin e kryer ndaj Liridona Ademajt.
Avokati kundërshtoi edhe vendimin për zhvillimin e seancës pa praninë e publikut. Ai tha se gjykimi duhej të ishte i hapur, në mënyrë që publiku të shihte se si dënohen personat që kryejnë vrasje.



