Partizani po kalon një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit. Pas 9 javësh kampionat, skuadra ka siguruar vetëm 4 pikë, një bilanc që tregon qartë krizën e thellë dhe largimin nga pritshmëritë me të cilat nisi sezoni. Në vend të një ekipi të gatshëm për të luftuar për objektiva madhorë, në fushë po shfaqet një Partizan krejt ndryshe.
Ky grumbullim pikësh e ka vendosur skuadrën e kuqe në një situatë alarmante. “Demat” nuk mund të mendojnë më vetëm për objektivat e deklaruara në fillim, pasi tashmë duhet të përfshijnë në llogaritë e tyre edhe betejën për mbijetesë. Për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar do të nevojiten shumë punë dhe rezultate.
Të lidhura
None found
KALENDARI – Përballjet e ardhshme paraqesin një sfidë të vështirë për ekipin e drejtuar nga Mislav Karoglan. Më 2 nëntor, Partizani do të udhëtojë në “Niko Dovana” për t’u përballur me Teutën, ndërsa vetëm 5 ditë më pas do të luajë në transfertë ndaj Laçit në Kurbin. Këto dy ndeshje radhazi jashtë fushe do të jenë një test i fortë për skuadrën dhe një mundësi për të reaguar.
Pas këtyre takimeve, të kuqtë do të kenë përballë Vllazninë, Dinamon dhe Egnatian. Në vitin 2026-të, Partizani do ta mbyllë këtë seri me derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, si dhe me ndeshjet kundër Vorës, Skënderbeut dhe, në fund, Elbasanit.
LLOGARITJA – Sipas përllogaritjeve, Partizanit do t’i duhen të paktën 38 pikë dhe deri në 42 pikë për të shmangur rënien direkte dhe për të mos u përfshirë në rrezikun e fazës “play out”. Ky konsiderohet pragu matematik i sigurisë për një mbijetesë të plotë. Situata mund të bëhet më e favorshme për skuadrën e kuqe nëse rivalët e saj për këto pozita, Vllaznia dhe Skënderbeu, vazhdojnë të kenë të njëjtat vështirësi.
RITMI – Për të siguruar mbijetesën, Partizani duhet të arrijë një mesatare prej 1.33 pikësh për ndeshje. Nga 27 takimet e mbetura, skuadra ka nevojë të marrë të paktën 36 pikë. Kampionati është ende në një fazë ku gjithçka mund të ndryshojë, ndaj të kuqtë kanë kohë për t’u rikthyer dhe për të përmbysur situatën. Nëse reagimi nuk vjen, sezoni mund të marrë një rrjedhë edhe më të rrezikshme dhe problemi të thellohet.






