Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se dje u zhvillua takimi i parë mes kryeministrit, ministres së Arsimit, përfaqësuesve të Qeverisë dhe parlamenteve studentore të të gjitha universiteteve në vend. Në takim u diskutua hapur për standardin e studentëve dhe vështirësitë me të cilat përballen ata.
Mickoski tha se u ka paraqitur studentëve një propozim për mënyrën e funksionimit të shujtës studentore, ndërsa përgjigjja e tyre pritet në takimin e ardhshëm.
Të lidhura
None found
“Kemi përshtypjen, por edhe disa informacione, se një numër i madh i përfituesve të shujtës studentore nuk i përdorin mjetet e marra në kartelat debitore për ushqim, por për qëllime të tjera”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, pas prezantimit të shërbimeve të reja në aplikacionin M-Shërbime, bashkë me ministren është propozuar që kartelat dhe pagesa mujore aktuale prej 3,5 mijë denarësh të zëvendësohen me një sistem të ri. Studentët marrin 140 denarë për 6 ditë në javë, shumë që arrin pothuajse 3500 denarë në muaj, ndërsa përmes aplikacionit M-Shërbime do të mund të aktivizohej opsioni M-Shujtë Studentore dhe kjo shumë të përdorej me vlerë prej 4500 denarësh.
“Përmes këtij aplikacioni do të krijojmë një listë me restorante, markete, restorante qumështi dhe objekte të tjera, ku ju realisht do të mund të blini ushqim, pasi bëhet fjalë për shujtë studentore”, tha Mickoski.
Ai sqaroi se propozimi synon të shmangë përdorimin e këtyre mjeteve për alkool, cigare apo sjellje të tjera devijante.
Kryeministri theksoi gjithashtu se përfitimi nuk do të kufizohej vetëm te shuma e alokuar për shujtën, por do të ishte i vlefshëm deri në përfundim të muajit.
“Pasi ta keni përdorur shumën e shujtës studentore, ajo do të vazhdojë të jetë e vlefshme deri në fund të muajit. Nëse sigurojmë një zbritje prej 20-25% në një restorant dhe ju i keni shpenzuar paratë e shujtës deri më datë 15, ndërsa më datë 20 uleni sërish për mëngjes me kolegët, ju do të paguani, por në vend të 100 denarëve, me zbritjen prej 25% do të paguani 75 denarë”, u shpreh Mickoski.







