Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër krimit kibernetik në Afrikë, ka përfunduar me 1,462 arrestime dhe rikuperimin e më shumë se 105 milionë dollarëve.
Operacioni “Serengeti III”, i zhvilluar nga 29 qershori deri më 31 gusht 2026, përfshiu policinë e 21 vendeve dhe synoi mashtrimet online, sulmet kibernetike dhe zhvatjen dixhitale.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, gjatë operacionit u çmontuan 10,909 rrjete dhe infrastruktura keqdashëse, ndërsa u identifikuan 65,929 viktima.
Humbjet financiare të lidhura me aktivitetet kriminale vlerësohen në mbi 385 milionë dollarë. Në Ugandë, policia shkatërroi dy rrjete ndërkombëtare mashtrimi dhe arrestoi 365 shtetas të huaj, të dyshuar për përfshirje në skema të rreme investimesh.
Ndërsa në Angola u zbuluan dy qendra të paligjshme për minimin e kriptomonedhave, ku u sekuestruan mbi 2,000 pajisje.
Në Nigeri, hetimet zbuluan një skemë mashtrimi me email-e, ku ishin mbledhur rreth 2.1 milionë adresa elektronike, si dhe një tjetër rrjet të dyshuar për mashtrime me investime, përmes të cilit dyshohet se ishin lëvizur mbi 2.4 milionë dollarë me origjinë të dyshimtë.
Raste të tjera u zbuluan në Tanzani dhe Gabon, ku qytetarët mashtroheshin përmes aplikacioneve të kredive dhe ofertave të rreme për import makinash. Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu se grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale për të krijuar përmbajtje mashtruese dhe për të zhvilluar sulme më të sofistikuara.
Megjithëse operacioni i koordinuar ka përfunduar, hetimet vijojnë në disa vende për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e parave të përfituara nga aktivitetet e paligjshme.







