Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar suspendimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferi. Në të njëjtën kohë, Valbona Disha-Haxhosaj është caktuar ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Detajet lidhur me këto vendime janë bërë publike përmes një njoftimi për media.
Të lidhura
None found
KPK-ja, e drejtuar nga kryesuesi Arian Gashi, zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku shqyrtoi kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për nisjen e procedurës disiplinore ndaj Lumturije Vuçetajt dhe Arlinda Nallbani-Gacaferrit. Kjo e fundit është prokurorja e rastit dhe njëkohësisht koordinatore për çështjet e dhunës në familje.
Pas shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kompetent, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi të krijojë një panel hetimor për trajtimin e çështjes. Po ashtu, u miratua propozimi për suspendimin e të dyja subjekteve ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.
“Vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës janë marrë mbi bazën e gjetjeve të paraqitura në raportin me numër reference A.Nr. 379/2026, i cili është përfshirë në kërkesën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për fillimin e hetimit disiplinor dhe lidhet me rastin e vrasjes së A. Z.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial vendosi që Valbona Disha-Haxhosaj të caktohet në detyrën e Ushtrueses së Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë.
KPK mbetet i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij ligjor, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke u kujdesur që të gjitha procedurat të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.



