Filipçe sfidon Mickoskin në Kuvend: Realizo premtimet për emrin dhe Marrëveshjen e Prespës

Gjatë seancës së sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, i rikujtoi kryeministrit Hristijan Mickoski zotimet për kthimin e emrit, shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës, rishikimin e marrëveshjes me Bullgarinë dhe përmirësimin e kornizës negociuese.

Filipçe kërkoi nga Mickoski të tregojë se cilat prej premtimeve i ka zbatuar, në vend që të paraqesë si arritje zotime që, sipas tij, nuk janë përmbushur.

Të lidhura

None found

“Kryeministër, tani e keni mundësinë. Qytetarët presin që emri të rikthehet, prandaj rikthejeni. Presin që Marrëveshja e Prespës të anulohet, atëherë anulojeni. Presin ndryshime ose përmirësime në marrëveshjen me Bullgarinë; bëjini ato. Po kështu presin edhe përmirësimin e kornizës negociuese, për të cilën keni premtuar 100 herë. Veproni për ta mbrojtur më mirë gjuhën, ndonëse me Bashkimin Evropian kemi të nënshkruar një marrëveshje në gjuhën maqedonase”, u shpreh Filipçe.

Ai tha se Mickoski vazhdon ta përdorë politikisht çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase, ndërsa Presidentja Gordana Sijanovska-Davkova dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë pohuar se ato janë të mbrojtura.

Filipçe theksoi se Maqedonia mund të ndjekë rrugën drejt Evropës duke ruajtur identitetin dhe gjuhën maqedonase.

“Mbase do të vazhdoni ta mbroni identitetin dhe gjuhën tuaj kur të hapni pishinat. Megjithatë, Gordana Sijanovska ju ka thënë se të dyja janë të mbrojtura, ndërsa Presidentja von der Leyen ka dhënë të njëjtin mesazh: ju presim në Evropë me identitetin dhe gjuhën tuaj”, tha Filipçe./Telegrafi/