Ish-mbrojtësi i Chelseat, Glen Johnson, i ka rekomanduar klubit londinez të fokusohet te transferimi i Frenkie de Jongut nga Barcelona, në vend të mesfushorit të Bournemouthit, Alex Scott. Chelsea po shqyrton mundësinë e përforcimit të repartit të mesfushës.
Duke folur për Action Network, Johnson u shpreh se De Jong mund të ishte një afrim me shumë vlerë për “Blutë”, nëse holandezi do të ishte në gjendje të mirë fizike.
Të lidhura
None found
“Nëse Frenkie de Jong është i gatshëm fizikisht, ai është një lojtar i shkëlqyer”, deklaroi Johnson, i cili pranoi se mbeten të pasigurta si gjendja fizike e futbollistit, ashtu edhe shuma që mund të kërkohej për transferimin e tij.
“Vetëm Zoti e di se sa do të kushtonte, por nëse është fizikisht mirë, mendoj se do të ishte një transferim i shkëlqyer”, shtoi ish-mbrojtësi i Chelseat.
Ndërkohë, raportohet se Bournemouthi ka refuzuar një ofertë prej 64 milionë eurosh nga Chelsea për Alex Scottin. Klubi anglez thuhet se e vlerëson mesfushorin 23-vjeçar në rreth 100 milionë euro.
Interes për reprezentuesin anglez ka shfaqur edhe Liverpooli.
Johnson pranoi se Scott ka bërë hapa përpara, pasi e ka nisur mirë sezonin dhe ka fituar një vend në përfaqësuesen e Anglisë.
Sidoqoftë, ai theksoi se mesfushori duhet të zhvillojë edhe më shumë ndeshje për të treguar nëse mund të ruajë vazhdimisht nivelin e nevojshëm për një ekip që synon përfundimin në katër vendet e para.
“Ende nuk mund ta dimë këtë, por ai ka dhuruar disa momente shumë të mira, e ka nisur sezonin në mënyrë fantastike dhe, sigurisht, është përfshirë në përfaqësuesen e Anglisë. Kjo do t’ia shtojë edhe më shumë vetëbesimin”, tha Johnson.
“Besoj se duhet të shohim më tepër prej tij, por mendoj se ai po ecën në drejtimin e duhur për të luajtur një ditë në një prej skuadrave më të mëdha”, përfundoi ai.





