Kosova nuk do të heqë dorë nga asnjë prej reformave të përfshira në Agjendën e Reformave, edhe pse disa afate nuk janë përmbushur në kohë. Kryenegociatori për integrimin evropian, Jeton Zulfaj, tha se është e pafavorshme që vendi të mos i marrë në kohë fondet e Bashkimit Evropian, por masat e planifikuara për afatin e 30 qershorit vazhdojnë të jenë pjesë e agjendës.
Duke folur në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas bllokadës politike: Nga momentumi në reforma”, Zulfaj u shpreh se pjesa më e madhe e reformave të mbetura pritet të realizohet gjatë këtij viti.
Të lidhura
None found
Ai nënvizoi se vonesat janë shqetësuese, por asnjë reformë nuk do të lihet pas. “Kemi përsëritur se reformat nuk humbin; jemi në një proces reformash, të quajtur ‘Agjenda e reformave’. Është e pafavorshme kur fondet nuk përfitohen në kohë dhe afatet kanë rëndësi, por masat e parashikuara deri më 30 qershor mbeten në agjendën tonë. Shumica do të zbatohen këtë vit. Ngecja është e keqe, por sot kemi mundësi ta diskutojmë procesin”, tha ai.
Zulfaj vlerësoi se vërejtjet e mbështetura në fakte dhe informimi i saktë i qytetarëve mund t’i ndihmojnë institucionet të përmirësojnë punën dhe të çojnë përpara reformat.
Plani i Rritjes përfshin 111 hapa reformues të ndarë në pesë fusha. Sipas Zulfajt, synimet e tyre janë përmirësimi i shërbimeve publike dhe i gjendjes ekonomike, shtimi i mundësive për të rinjtë, përparimi social, si dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Ai bëri të ditur se Kosova ka mundësi të përfitojë gjithsej 882 milionë euro përmes këtij plani: një e treta në formë grantesh dhe dy të tretat si kredi. Plani përbëhet nga katër shtylla, ndërsa dy të fundit lidhen me agjendën e reformave dhe stimujt për zbatimin e tyre. Zulfaj theksoi se rëndësia e planit nuk kufizohet te fondet, por lidhet edhe me përmbajtjen e reformave dhe ndikimin e tyre në jetën e qytetarëve.
“Vlerësimi kritik i bazuar në fakte na ndihmon dhe kontribuon në përmirësimin e institucioneve. Ju keni rol të rëndësishëm si në kritikën konstruktive, ashtu edhe në informimin e drejtë të publikut. Në këtë proces janë të përfshira 18 institucione përgjegjëse, ministri dhe institucione të pavarura, përfshirë Kuvendin; partnerë janë edhe të gjithë ju, ndërsa qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, u shpreh Zulfaj.
Kryenegociatori theksoi gjithashtu se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e gjithë shoqërisë, përfshirë institucionet, shoqërinë civile dhe mediat. Ai kujtoi se pushtetet kanë përgjegjësi të ndara: qeveria udhëheq procesin, drejtësia kryen punën e saj, ndërsa miratimi i ligjeve i takon Kuvendit dhe agjencitë e pavarura kanë detyrat e veta.
“Shoqëria civile dhe mediat kanë një funksion thelbësor në demokraci, duke u dhënë qytetarëve informacion të drejtë. Angazhimi i përbashkët është i nevojshëm, por secili institucion duhet të veprojë brenda përgjegjësive të veta”, tha Zulfaj.




