Natyra Kuçi, nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka bërë publike një letër tjetër të Arlinda Zekajt, e cila u vra me mjet të mprehtë në Vitomiricë të Pejës.
Sipas raportimeve për rastin, i dyshuari për vrasjen është kunati i saj.
Të lidhura
None found
Në letrën e publikuar, Zekaj i drejtohej edhe kryetarit të Komunës së Pejës, duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si kishin reaguar institucionet dhe për veprimet e marra për të parandaluar dhunën ndaj grave.
“I nderuar z. Kryetar, vrasjet nuk qenka të rastësishme! Tani e shoh a kontribuojnë institucionet në vrasjen e grave. Ju jeni njoftuar me kohë – takimi me gjyqtarin, pa veprime konkrete, është zero!”, shkruhej në letrën që publikoi Kuçi.
Në postimin e saj, Kuçi ndau edhe këtë citat: “Oj Tyre, i kishin ndalë kamerat, më sulmoi kunati para policisë e ata as nuk reaguan”.
Kuçi foli edhe për gjyqtarin që, sipas saj, kishte urdhëruar që Linda të jetonte në të njëjtën shtëpi me burrin, por me dy metra distancë. Ajo e përshkroi atë si shtëpinë ku kunati, vjehrra dhe burri ishin bashkuar për ta ndjekur e torturuar Lindën dhe për t’ia fshehur djalin. Sipas postimit, në atë shtëpi dikush arrestohej çdo ditë dhe lirohej të nesërmen.
Kuçi shtoi se Linda ishte ankuar dhe kishte shkruar: “PAS VRASJES TIME NUK PRES TE PERGJIGJENI- POR PRES TE MOS MUND TE FLINI”.
Ajo tha se policia dhe gjyqësori në Pejë e dinin se jeta e Lindës ishte në rrezik sa herë që e linin te dyert e oborrit dhe sa herë që nuk ia mundësonin zbatimin e vendimit të gjykatës për ta takuar djalin larg asaj shtëpie.




