Kriza politike dhe vonesat institucionale kanë ndikuar negativisht në zbatimin e reformave evropiane, duke dëmtuar performancën e Kosovës në sundimin e ligjit, administratën publike dhe zhvillimin ekonomik. Sipas vlerësimeve të Qeverisë, vendi mund të ketë humbur mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ndonëse shifra përfundimtare pritet të konfirmohet nga BE-ja.
Këto vlerësime u paraqitën në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), e cila kishte në fokus temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas bllokadës politike: Nga momentumi në reforma”. Pjesëmarrësit diskutuan për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Të lidhura
None found
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se bllokadat politike që kanë zgjatur më shumë se dy vjet kanë sjellë pasoja të ndjeshme për vendin. Ajo theksoi se kostoja nuk lidhet vetëm me kohën e humbur, por edhe me dobësimin e performancës institucionale dhe mungesën e përmirësimeve në jetën e qytetarëve.
Arifi bëri të ditur se, sipas përmasave të vlerësuara deri në qershor, humbjet e mundshme nga përfitimet e Planit të Rritjes mund të jenë mbi 40 milionë euro. Megjithatë, ajo nënvizoi se vlerësimi i saktë duhet të bëhet nga Bashkimi Evropian.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se Kosova ka pak kohë në dispozicion për të zbatuar 27 masa të tjera, të cilave u përfundon afati më 31 dhjetor të këtij viti. Ndërkohë, i gjithë Plani i Rritjes, ose Agjenda e Reformave, duhet të përfundojë deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.
Sipas Arifit, urgjenca për përmbushjen e masave nuk duhet të çojë në reforma formale dhe pa cilësi. Ajo tha se zbatimi duhet të jetë njëkohësisht i shpejtë dhe i qëndrueshëm, në mënyrë që reformat të mos realizohen vetëm për t’u konsideruar pjesë e agjendës.
Sa i përket perspektivës së Kosovës në Bashkimin Evropian, drejtoresha e GLPS-së vlerësoi se vendi duhet të përgatitet jo vetëm për një anëtarësim të mundshëm në të ardhmen. Sipas saj, duhet të shqyrtohen edhe mundësitë për përfshirje më të hershme në politikat dhe mekanizmat evropianë, përfshirë format e integrimit gradual.
Arifi theksoi se mbështetja e lartë e qytetarëve për Evropën dhe deklaratat politike nuk mjaftojnë për avancimin e procesit. Ajo tha se nevojiten reforma konkrete dhe rezultate të matshme, ndërsa Bashkimi Evropian duhet t’i ofrojë Kosovës një perspektivë të qartë.
Gjatë prezantimit të përditësimit të Agjendës së Reformave për semestrin e tretë, autori i raportit dhe hulumtuesi i GLPS-së, Besar Gërgi, deklaroi se Qeveria ka raportuar zbatimin e 18 reformave nga gjithsej 62 të parapara deri më tani.
Gërgi tha se Qeveria ka raportuar përmbushjen e 7 prej 13 hapave reformues që kishin afat përfundimtar qershor 2026. Këta hapa i përkisnin semestrit të dytë, qershor 2025, ndërsa kishin një periudhë tolerance prej një viti, deri në qershor të vitit 2026. Sipas tij, kjo përfaqëson një shkallë zbatimi pak mbi 50 për qind.
Ai iu referua edhe raportit të parë zyrtar të Qeverisë, të publikuar në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit, ku thuhet se nga 62 reforma janë realizuar 18, ose rreth 29 për qind. Gërgi vlerësoi se kjo nuk përbën shkallën më të lartë të mundshme të zbatimit.
Në aspektin financiar, hulumtuesi sqaroi se Kosova mund të përfitojë deri në 883 milionë euro nga Plani i Rritjes, ndërsa deri tani ka marrë vetëm parafinancimin prej 7 për qind.
Sipas Gërgit, pengesa kryesore ka qenë mosratifikimi i marrëveshjeve, gjë që e kishte pamundësuar raportimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës te Komisioni Evropian. Raporti i parë zyrtar është dorëzuar më 15 korrik dhe tani pritet vlerësimi i Komisionit Evropian, i cili do të japë një pasqyrë të plotë për masat e zbatuara dhe ato të parealizuara.
Ai bëri të ditur se në qershor përfundoi afati i katërt nga gjithsej 7 semestra të Agjendës së Reformave. Në fund të vitit pritet të mbyllet edhe semestri i pestë, ndërsa i gjithë instrumenti për rritje përfundon në shtator të vitit të ardhshëm.
Gërgi theksoi se Kosova nuk e ka më në dispozicion një vit të plotë për realizimin e reformave. Sipas tij, shkalla e ulët e zbatimit dhe ngecjet e shumta lidhen në masë të konsiderueshme me krizën politike.
Duke iu referuar zhvillimeve institucionale, ai tha se Kuvendi u konstituua më 11 shkurt dhe Qeveria u formua në të njëjtën periudhë. Vetëm dy ditë më pas u ratifikuan dy marrëveshje, ajo e facilitetit dhe e huamarrjes, ndërsa më 19 mars u emërua koordinatori kombëtar.



