Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, pas marrjes së detyrës.
Siç bëri të ditur Zyra e Presidentes së Kosovës, në mesazhin e tij, Van der Bellen ka theksuar marrëdhëniet e konsoliduara mes Kosovës dhe Austrisë në aspektin politik, ekonomik e kulturor, si dhe lidhjet e forta mes qytetarëve të të dyja vendeve.
Të lidhura
None found
Presidenti austriak ka çmuar veçanërisht kontributin e mërgatës kosovare në Austri dhe ka shprehur gatishmërinë për të punuar me Presidenten Shiroka Pula në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, në rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Van der Bellen ka përsëritur gjithashtu angazhimin e Austrisë për integrimin në Bashkimin Evropian të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai ka deklaruar se Austria do të vijojë ta mbështesë Kosovën në zbatimin e reformave dhe në avancimin e saj drejt integrimit evropian.
Në mbyllje të letrës, Presidenti Alexander Van der Bellen i ka uruar Presidentes Shiroka Pula sukses gjatë ushtrimit të mandatit të saj, njofton Presidenca.






