Salianji për Middle East Eye: Protestat kundër Ramës dhe Berishës, studentët kërcënohen dhe policia shpërblehet për dhunën

Ish-deputeti Ervin Salianji ka dhënë një intervistë për median Middle East Eye, ku foli për protestat kundër qeverisë, të cilat vijojnë prej rreth pesë muajsh në vend.

Sipas Salianjit, pakënaqësia nuk është drejtuar vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha. Ai pretendon se Rama dhe Berisha kanë krijuar një “aleancë të heshtur” dhe se vendosin vetë se kush mund të kandidojë në partitë e tyre, pa ua lënë këtë të drejtë votuesve.

Të lidhura

None found

“Protestat nuk janë vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër liderit të opozitës, Sali Berishës, i cili është futur në një aleancë të heshtur me Ramën. Tani, në partitë e tyre përkatëse, janë ata që përcaktojnë kandidatët për zgjedhje dhe jo votuesit, ndërsa një grup i vogël njerëzish po pasurohet në mënyrë marramendëse”, u shpreh Salianji.

Ai tha se qytetarët kërkojnë të kenë rol në mënyrën se si qeveriset vendi dhe se vendimmarrja shtetërore duhet t’i përfshijë.

“Njerëzit duan të përfshihen në vendimmarrjen për mënyrën se si drejtohet shteti”, deklaroi Salianji.

Duke komentuar zhvillimet e ditëve të fundit, ish-deputeti pretendoi se Rama ka kërcënuar studentët dhe punonjësit publikë që marrin pjesë në protesta, ndërsa policëve u ka ofruar shpërblim prej 2500 eurosh për dhunën.

“Ai ka kërcënuar studentët, mësuesit dhe punonjësit publikë që marrin pjesë në protesta, ndërsa efektivëve të policisë u ka ofruar bonus prej më shumë se 2.000 eurosh për dhunën e ushtruar ndaj protestave”, shtoi Salianji.


Shtuar më 22.10.2026 18:33