Rikthimi i 36 milion dollarëve, lufta e heshtur e sovjetikëve dhe SHBA për Shqipërinë

Në këtë artikull të Neë York Times, të botuar plot një vit pas – siç shkruan gazeta amerikane – “vrasjes apo vetëvrasjes” së ish- kryeministrit Mehmet Shehu, dalin qartë përpjekjet e hershme të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një afrim me Shqipërinë.

Në artikullin e David Binder, që bota.al e sjell sot për lexuesit e saj, flitet për përpjekje që fuqitë e mëdha kanë nisur të bëjnë për “të joshur” udhëheqësin komunist, Enver Hoxhën.

Nga njëra anë, Bashkimi Sovjetik që me anë të udhëheqësit të ri, Andropov, i dërgon përshëndetjet më të ngrohta qeverisë së Shqipërisë me rastin e 38-vjetorit të çlirimit.

Dhe nga ana tjetër, SHBA në bashkëpunim me Britaninë dhe Francën, kanë nisur të mendojnë për një plan të kthimit të 36 milion dollarëve të floririt që italianët e kishin marrë me vete gjatë luftës, ndërsa gjermanët e kishin plaçkitur dhe fshehur në një minierë kripe.

Një plan që edhe një herë do të dështonte, ashtu si përpjekja e vitit 1973, kur sinjaleve të lëshuara nga amerikanët për afrim, Enver Hoxha i ishte përgjigjur me spastrimet e të gjithë atyre që kishin shfaqur prirje afrimi me perëndimin…

Për më shumë lexoni artikullin e plote të Neë York Times:

Nga David Binder

Për herë të tretë në nëntë vjet, Shtetet e Bashkuara po përgatiten të bëjnë një propozim zyrtar për rikthimin e marrëdhënieve me Qeverinë Komuniste të Shqipërisë.

Sipas zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, plani tani në shqyrtim është të propozojë së shpejti, së bashku me Britaninë dhe Francën, nisjen e negociatave për kthimin Shqipërisë, të më shumë se 36 milion dollarëve në flori, në këmbim të marrëveshjes së saj për të zgjidhur pretendimet me tre aleatët.

Ari u transferua nga forcat pushtuese italiane në Romë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u plaçkit nga trupat gjermane në 1943 dhe u depozitua në një minierë kripe në Gjermani, ku përfundimisht u mor nga aleatët.

Ndërsa ka patur diskutime midis Londrës, Uashingtonit dhe Parisit në dekadat e mëparshme rreth mundësisë së negociatave me Shqipërinë, ideja fitoi një farë urgjence pas vdekjes muajin e kaluar të udhëheqësit sovjetik, Leonid I. Brezhnjev.

Në Departamentin e Shtetit u vu re mjaft mirë se udhëheqësi i ri sovjetik, Juri Andropov dërgoi përshëndetje pazakonshmërisht të ngrohta, në adresë të qeverisë së Tiranës në 29 nëntor, me rastin e 38-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi fashist, si dhe një ftesë për të rivendosur marrëdhëniet e prishura në vitin 1961.

Zyrtarë të administratës, që njohin mirë çështjet e Evropës Juglindore thanë gjithashtu se situata në Shqipëri, ku kohët e fundit ka pasur trazira në udhëheqje, nuk kishte kaluar pa u vënë re në përgatitjen e propozimit për negociata. Një faktor tjetër ishte perceptimi në SHBA, se Enver Hoxha, i cili ka udhëhequr Partinë Komuniste Shqiptare që nga viti 1944, është i sëmurë rëndë dhe tashmë po mendon për pasardhësin. Ai është 74 vjeç.

Disa strategë të administratës besojnë se ka elementë në Qeverinë shqiptare që do të mirëpresin lidhje më të ngushta me vendet perëndimore, pak prej të cilave kanë marrëdhënie diplomatike me Tiranën. Një vit më parë kryeministri Mehmet Shehu u vra, ose kreu vetëvrasje, në atë që duket se ka qenë një luftë kundër z.Hoxha, për një hapje me Perëndimin.

Kjo luftë u duk se e pati kulmin muajin e kaluar, me rrëzimin e një numri bashkëpunëtorësh më të ngushtë të Z. Shehu nga postet e partisë dhe qeverisë, dhe shenjave se ata do të gjykoheshin për tradhëti. Në një fjalim në nëntor, zoti Hoxha denoncoi fraksionin e Shehut, në atë që u konsiderua bashkëpunim i fshehtë me fuqitë perëndimore dhe me Jugosllavinë.

Ai dhe disa nga ndihmësit e tij kryesorë sulmuan idenë e rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Sovjetik, duke i përshkruar ato njësoj si ”imperialistë dhe reaksionarë”.

Sidoqoftë, zyrtarët e administratës amerikane mendojnë se kur Hoxha të largohet më në fund nga skena, Shqipëria, mund të zhvendosej nga politika e saj trullosëse. Kjo pikëpamje duket se ndahet edhe në Moskë e Beograd.

Përtej kësaj, strategët e Administratës tashmë e shohin rajonin e Ballkanit gjithnjë e më shumë një arenë të konkurrencës midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Jugosllavi. Përballë një krize të rëndë ekonomike, Qeveria e Beogradit është afruar muajt e fundit me Bashkimin Sovjetik si partner tregtar, ndërsa u është drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore për kredi dhe mbështetje financiare.

Specialistët në çështjet e Ballkanit kujtojnë se për shkak të mungesës së informacionit të sifurtë në lidhje me gjendjen reale të punëve në Shqipëri, një propozim zyrtar ndaj Tiranës mund të mos jetë gjëja e duhur dhe as në kohën e duhur.

Në prill të vitit 1973, kujton një specialist amerikan, Kenneth Rush, asokohe Zëvendës Sekretar i Shtetit, tha në një fjalim se nëse Shqipëria do të tregonte interes për bisedime me Shtetet e Bashkuara, ajo “do të na gjejë të përgatitur për t’iu përgjigjur”.

Sidoqoftë, ajo që nuk dinte Departamenti i Shtetit, ishte se Z. Hoxha atëherë po kryente një spastrim të gjerë të zyrtarëve të dyshuar për prirje afrimi me perëndimin, disa prej të cilëve u ekzekutuan dhe shumë të tjerë u dënuan me punë të detyruar.

Shtatë vjet më vonë, oferta e Rushit u përsërit nga një zyrtar tjetër i Departamentit të Shtetit, dhe më pas u zbulua ai po bënte një tjetër spastrim në Tiranë./albeu.com

 

 

 


Shtuar 19.08.2021 14:23