Elon Musk ka prezantuar vizionin ambicioz për Tesla Roadster-in e ardhshëm, i cili, sipas tij, do të jetë në gjendje të realizojë vetë manovra spektakolare sapo të marrë komandën nga pronari.
Gjatë deklaratave të tij, Musk tha se automjeti mund të përsërisë në mënyrë autonome demonstrimet e bëra më 15 tetor, duke përfshirë qëndrimin përmbys, rrotullimet në ajër dhe kthimin në tokë mbi rrota.
Të lidhura
None found
Këto aftësi, sipas Tesla-s, do të mundësohen nga shtytës me gaz të ftohtë dhe depozita që mbajnë ajër nën presion të lartë. Bëhet fjalë për një teknologji të ngjashme me atë që SpaceX përdor për drejtimin dhe kontrollin e anijeve kozmike.
Paralelisht, Musk njoftoi se në selinë e Tesla-s në Teksas synohet të ndërtohet një pistë e veçantë me vështirësi ekstreme, ku pronarët do të kenë mundësi të provojnë performancën e automjetit.
Deri tani, kompania nuk ka bërë të ditur një afat për nisjen e prodhimit të modelit dhe as për përfundimin e pistës.
Roadster-i pritet të hyjë në prodhim jo më herët se fundi i dekadës, ndërsa detajet mbi funksionet autonome dhe nivelin e sigurisë së tyre mbeten ende të pakonfirmuara.
Premtimet për një automjet me aftësi të tilla janë mbresëlënëse, por mbetet për t’u parë nëse Tesla do të arrijë t’i kthejë demonstrimet në teknologji të zbatueshme në përdorimin e përditshëm. /Telegrafi/







