Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha sot se Iva Mihajlova është larguar drejt Bullgarisë fqinje për shkak të ardhjes së konsiliumit bullgar në Maqedoni. Sipas tij, pas verifikimit të pretendimeve të saj nga specialistët bullgarë, do të rezultonte se nuk ekzistonte asnjë problem mjekësor.
Të lidhura
None found
“Arsyeja e arratisjes është ardhja e konsiliumit bullgar këtu. Ai duhej t’i shqyrtonte pretendimet e saj së bashku me mjekët maqedonas. Besoj se në atë rast do të ishte bërë e qartë situata reale. Unë po udhëtoj për në Sofje dhe, natyrisht, do të bisedoj me Ministrinë e tyre për këtë çështje, sepse në thelb nuk ka asnjë rast mjekësor”, deklaroi Klekovski.
Ndërkohë, në Maqedoni po zhvillohet proces gjyqësor ndaj Iva Mihajlovës në Gjykatën e Koçanit, lidhur me një aksident trafiku me pasoja fatale.
Gjatë seancave gjyqësore, Mihajlova është ankuar për diskriminim për shkak të shtetësisë së saj të dyfishtë, maqedonase dhe bullgare, duke pretenduar se nuk i lejohet të marrë trajtim në Bullgarinë fqinje. Babai i saj, Simeon Mihajlova, është larguar gjithashtu drejt Bullgarisë pas dënimit me 12.5 vjet burg për rastin Detonator. Autoritetet e RMV-së kanë nxjerrë ndërkohë urdhër-arreste ndërkombëtare për Iva Mihajlovën dhe Simeon Mihajlovin.
Gjatë vizitës së fundit në Sofje, ministri i Jashtëm Timç Mucunski deklaroi se Maqedonia është e gatshme t’u mundësojë specialistëve mjekësorë bullgarë të vizitojnë Iva Mihajlovën dhe të informohen për gjendjen e saj shëndetësore dhe trajtimin që po merr.
Mucunski sqaroi se çështja përmban dy elemente të veçanta: procedurat gjyqësore, ku pushteti ekzekutiv nuk ka të drejtë të ndërhyjë, dhe gjendjen shëndetësore të Mihajlovës, për të cilën autoritetet maqedonase, sipas tij, kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim.





