Pas plagosjes së punonjësve të medias në protestë, AMA kërkon mbrojtje më të madhe nga Policia

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka reaguar për lëndimin e disa gazetarëve dhe operatorëve gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.

Krasniqi u ka kërkuar protestuesve të tregojnë përmbajtje dhe kujdes ndaj ekipeve mediatike, ndërsa Policisë së Shtetit i ka bërë thirrje që të garantojë sigurinë e tyre gjatë raportimit në terren.

Të lidhura

None found

Ajo deklaroi se i kishte ndjekur me shqetësim raportimet për dëmtimin e gazetarëve dhe vështirësitë e hasura nga ekipet e medias gjatë protestës. Pas kontaktit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, kryetarja e AMA-s tha se ishte informuar se punonjësit e lënduar kishin lënë ambientet e spitalit.

Krasniqi u ka uruar atyre shërim të shpejtë dhe ka shprehur solidaritetin e saj me të gjithë gazetarët e operatorët që vijojnë të raportojnë nga vendngjarja.

Sipas saj, në situata të tensionuara është thelbësore të krijohen kushte të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantohet ushtrimi i lirë i profesionit të tyre.

Ajo theksoi se punonjësit e medias në terren ofrojnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut dhe se puna e tyre duhet të respektohet, mbështetet dhe mbrohet.


Shtuar më 13.10.2026 21:40