Operacioni i SPAK dhe policisë, zbardhen emrat e 4 të arrestuarve, një në kërkim

SPAK, në koordinim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një aksion ndaj një grupi të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore dhe transport të emigrantëve të paligjshëm.

Gazetarja Klodiana Lala raportohet se në pranga kanë përfunduar Jorgji Kuvarati, Erius Hajdari, Arzen Bregasi dhe Lamela Berlat. Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur në kërkim një person tjetër, i cili dyshohet se është i përfshirë në aktivitetin kriminal.

Të lidhura

None found

Sipas informacioneve paraprake, të arrestuarit dyshohet se vepronin si pjesë e një grupi që organizonte kalimin e emigrantëve të paligjshëm, të njohur si klandestinë.

Hetimi i përbashkët i Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë së Shtetit synon të zbardhë të gjithë veprimtarinë e grupit dhe të evidentojë persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Më herët ishte bërë e ditur se për këtë operacion ishin firmosur pesë urdhër-arreste, ku përfshiheshin edhe punonjës policie. Deri tani, megjithatë, nuk janë publikuar të dhëna të plota zyrtare për rolin e secilit prej të dyshuarve apo për faktin nëse ndonjë prej të arrestuarve është efektiv i Policisë së Shtetit.

SPAK dhe Policia pritet të bëjnë publike në vijim të dhëna të tjera lidhur me organizimin e grupit, rrugët e përdorura për transportin e emigrantëve dhe akuzat konkrete që rëndojnë mbi personat e përfshirë.