Senatorët amerikanë në Tiranë, takime me drejtuesit e drejtësisë, Presidentin dhe opozitën, pa Berishën

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin kanë zhvilluar një vizitë në Shqipëri dhe Kosovë, në kuadër të turit të tyre në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Të dy njihen si mbështetës të nismave legjislative që lidhen me këtë rajon.

Axhenda e tyre në Tiranë u përqendrua te siguria, ruajtja e integritetit euroatlantik, bashkëpunimi me NATO-n dhe forcimi i sundimit të ligjit. Në takimet e zhvilluara në Shqipëri, senatorët u shoqëruan nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt.

Të lidhura

None found

Gjatë qëndrimit në vend, Shaheen dhe Durbin u takuan me Presidentin Bajram Begaj, drejtues të institucioneve të reja të drejtësisë dhe përfaqësues të opozitës.

Të shtunën, ata zhvilluan një takim në zyrat e dy strukturave kryesore të hetimit në Shqipëri, SPAK dhe BKH. Bashkë me ambasadorin Wendt, senatorët biseduan me kreun e SPAK, Klodjan Braho, dhe drejtuesin e BKH-së, Joni Keta.

Kjo ishte vizita e dytë e ambasadorit të ri amerikan në SPAK brenda pak ditësh. Menjëherë pasi mori detyrën në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë, Wendt kishte takuar drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme, çka shihet si një tjetër dëshmi e mbështetjes amerikane për Strukturën e Posaçme.

Në takimin me Kreun e Shtetit Shqiptar, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin u nderuan për kontributin e tyre me dekoratën e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori Eric Wendt.

Senatorët amerikanë dhe ambasadori Wendt zhvilluan gjithashtu bisedime me përfaqësues të kampit opozitar. Në këtë kuadër, ata takuan deputetët e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, të cilët mësohet se ngritën shqetësime lidhur me mënyrën e qeverisjes së vendit.

Takime u zhvilluan edhe me kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, si dhe me deputeten Marjana Koçeku, e cila është e pavarur pas largimit nga Partia Socialiste.

Në axhendën e senatorëve amerikanë në Tiranë nuk përfshihej kreu i opozitës, Sali Berisha.

Pas përfundimit të takimeve në Shqipëri, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin janë nisur drejt Kosovës, ku pritet të takojnë përfaqësues të politikës së vendit fqinj.


Shtuar më 10.10.2026 18:54