Agjencia për të drejtat e fëmijëve e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, thotë se në disa pjesë të Afganistanit përfaqësuesit e talibanëve kanë shprehur mbështetje për edukimin e vajzave dhe grave. Kjo organizatë është duke ofruar ndihmë në shumicën e pjesëve të Afganistanit dhe shpreson shumë për bashkëpunim me përfaqësuesit e talibanëve, tha Mustapha Ben Messaoud, shefi i operacioneve në terren të UNICEF në Afganistan.
Ai deklaratat i bëri gjatë një konference të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të martën më 17 gusht.
“Kemi diskutime të vazhdueshme dhe jemi mjaft optimistë. Në zyrat që kemi në terren ne nuk kemi asnjë telashe me talibanët”, tha ai.
Sipas tij, aktualisht 11 nga 13 zyrat në terren të kësaj organizate janë funksionale.
Talibanët e sunduan Afganistanin midis viteve 1996 dhe 2001. Ata nuk i lejuan gratë të punonin, vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën dhe gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi të hënën për raportime të shkeljeve të të drejtave të grave pasi talibanët morën kontrollin e Afganistanit pas 20 vjetësh të prezencës së huaj ushtarake atje të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
UNICEF citoi disa përfaqësues lokalë të talibanëve të kenë thënë se ata ishin duke pritur për udhëzime nga udhëheqësit e tyre për çështjen e edukimit të vajzave, ndërsa të tjerët kanë thënë se duan që shkollat të “funksionojnë”.
Një drejtor shëndetësor i talibanëve në provincën Herat u kishte kërkuar punonjësve që të paraqiteshin në vendet e punës, tha Ben Messaoud.
Megjithatë UNICEF ende nuk ka krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë me udhëheqësit talibanë në kryeqytetin Kabul, shtoi ai./REL