Një anije transporti me pronësi turke është fundosur në Detin e Zi pasi u godit nga një dron dhe u përfshi nga zjarri. Mjeti lundrues po transportonte drithë nga Ukraina drejt Italisë.
Të lidhura
None found
Ngjarja shkaktoi vdekjen e dy marinarëve, ndërsa 11 të tjerë u nxorën të gjallë. Një person vijon të jetë i zhdukur. Anija “Royad Mammadov”, e regjistruar nën flamurin e Saint Kitts dhe Nevis, ishte larguar rreth tri orë më parë nga porti ukrainas i Izmailit dhe kishte marrë kursin drejt Ravenës.
Goditja ndodhi rreth 20 milje larg bregdetit rumun. Pas shpërthimeve, në bord shpërtheu një zjarr i madh, duke detyruar autoritetet rumune të angazhonin anije dhe helikopterë në një operacion të gjerë kërkimi dhe shpëtimi.
Tre nga marinarët e shpëtuar u dërguan në spitalin e Konstancës për shkak të traumave të shumta. Gjendja e tyre raportohet jashtë rrezikut për jetën. Deri tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për autorët e sulmit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky fajësoi Rusinë, duke deklaruar se anija civile ishte sulmuar nga dy dronë rusë në ujëra neutrale. Ai e përshkroi incidentin si një “sulm horror” dhe bëri thirrje për shtim të presionit ndaj Moskës, me synim garantimin e sigurisë së lundrimit dhe të eksporteve ushqimore.
Sulmi i fundit pason disa incidente të tjera me dronë pranë brigjeve të Rumanisë. Përplasjet e vazhdueshme kanë shtuar tensionet në Detin e Zi, zonë me rëndësi të madhe për dërgimin e drithit ukrainas drejt tregjeve ndërkombëtare.
Ambasadori turk në Bukuresht, Özgür Kıvanç Altan, e cilësoi rastin “të trishtueshëm dhe shqetësues”. Ai nënvizoi se Turqia mbështet sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lundrimit në Detin e Zi. Presidenti Rexhepe Tajip Erdogan i ka cilësuar më herët “të papranueshme” sulmet ndaj anijeve civile në këtë zonë.
Një tjetër incident i ngjashëm u raportua në fund të shtatorit, kur u sulmua anija turke ‘Aroyat’, po në Detin e Zi. Pas këtij sulmi rezultoi i zhdukur inxhinieri i dytë i anijes, shqiptari Erkan Nika.
