Partia Demokratike propozon që kryetarët e bashkive të zgjidhen përmes një sistemi me dy raunde, duke rikthyer balotazhin.
Sipas këtij mekanizmi, kandidati do të shpallej fitues që në raundin e parë vetëm nëse do të merrte më shumë se 50% të votave të vlefshme.
Të lidhura
None found
Nëse asnjë prej kandidatëve nuk arrin këtë përqindje, në raundin e dytë do të përballeshin dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota.
Ky model është përdorur në Shqipëri deri në vitin 2003, ndërsa aktualisht zbatohet edhe në Kosovë.
“Kryetari i bashkisë nuk duhet të jetë përfaqësues i një force politike, por i qytetarëve. Një kryetar që zgjidhet me një shumicë të thjeshtë relative, me 20-30% apo 30% të votave për shkak të fragmentimit të tyre, nuk përfaqëson shumicën dhe vullnetin e qytetarëve që duan të zgjedhin për hallet e tyre”, deklaroi Oerd Bylykbashi në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Elda Menga.
Ndërkohë, Këshillat Bashkiakë zgjidhen sot përmes sistemit proporcional me lista të mbyllura. Mandatet përcaktohen në bazë të votave që siguron secili subjekt politik, por demokratët kërkojnë që listat të hapen dhe zgjedhësit të kenë mundësi të votojnë drejtpërdrejt këshilltarin e preferuar.
“Do të çoj përpara idenë e hapjes 100% të listave për këshillat vendorë. Është e vërtetë që kjo e bën më të ndërlikuar punën e KQZ-së, por i jep më shumë hapësirë demokracisë dhe rrit mundësinë e zgjedhësve për të votuar”, u shpreh Bylykbashi.
Socialistët synojnë që zgjedhjet e pranverës të zhvillohen mbi bazën e një ndarjeje të re territoriale, me 46 Bashki.
Për demokratët, insistimi i mazhorancës për të miratuar hartën e re përmes votave të saj në seancën e 8 Tetorit tregon se edhe reforma zgjedhore mund të përballet me të njëjtin përfundim.
