Katër të dënuar, përfshirë tre shtetas shqiptarë dhe një kolumbian, janë marrë të pandehur për organizimin e revoltës së dhunshme që shpërtheu më 1 tetor në burgun Don Bosco, në Pisa të Italisë. Trazirat u transmetuan drejtpërdrejt në TikTok.
Sipas mediave italiane, personat e dyshuar për drejtimin e revoltës janë shqiptarët Ilber Arshi, 39-vjeç, Andrea Petroniq, 43- vjeç, dhe Daniel Myrtaj, 24-vjeç.
Të lidhura
None found
Myrtaj dyshohet se realizoi transmetimin ‘live’ nga qelia dhe për këtë arsye akuzohet edhe për përdorim të paligjshëm të telefonit brenda një institucioni të ekzekutimit të dënimeve penale. Organizatori i katërt i dyshuar është kolumbiani Jerson German Bolanos, 39-vjeç.
Përveç akuzës për organizimin e trazirave, të katër përballen edhe me akuzën e dëmtimit të pronës, pasi një pjesë e konsiderueshme e sektorit ku vuanin dënimin u shkatërrua rëndë. Për shkak të rrezikshmërisë së tyre, ata u transferuan menjëherë në burgje të tjera të rajonit të Toskanës.
Ngjarja nisi rreth orës 19:00 dhe më pas u shndërrua në përleshje fizike mes të burgosurve dhe punonjësve të Policisë Penitenciare. Për të vënë situatën nën kontroll dhe për t’u dhënë ndihmë personave të lënduar, në burg mbërritën edhe disa autoambulanca.
Gjyqtari i hetimeve paraprake, Domenico Vatrano, deklaroi se të përfshirët kryen veprime të dhunshme, kërcënuan dhe kundërshtuan urdhrat e forcave të rendit. Autoritetet kanë evidentuar deri tani edhe 16 të burgosur të tjerë që dyshohet se morën pjesë në trazira, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë vijojnë.
Në videon e transmetuar në TikTok, të burgosurit shfaqeshin me fytyrat e pambuluara dhe pa shenja të dukshme dhune. Ata folën me radhë në gjuhën italiane dhe shqipe, duke pretenduar se gardianët i kishin goditur me shkopinj gome. Gjithashtu, kërkuan më shumë privatësi dhe thanë se kishin të drejtë të komunikonin lirshëm në qelitë e tyre, pa frikën se po përgjoheshin.
