Deputeti Antonijo Milloshoski deklaroi se VMRO-DPMNE është e gatshme të përkrahë modelin me një njësi zgjedhore, por vetëm nëse partitë politike arrijnë një marrëveshje të përbashkët për këtë çështje.
Të lidhura
None found
“Nëse partitë politike arrijnë të merren vesh dhe të arrijnë konsensus të përgjithshëm që vendi të jetë një njësi zgjedhore, VMRO-DPMNE nuk do të ketë problem ta mbështesë atë zgjidhje”, deklaroi Milloshoski.
Ai tha se kjo nuk është një qëndrim i ri i partisë, pasi i njëjti pozicion ishte paraqitur edhe gjatë negociatave të mëparshme. Sipas tij, atëherë disa subjekte politike kishin qëndrime të ngjashme, por bisedimet nuk prodhuan marrëveshje për shkak të propozimeve të ndryshme.
“Ne edhe në bisedimet e mëparshme si VMRO-DPMNE e shprehëm qëndrimin tonë se jemi për një njësi zgjedhore dhe më shumë parti e ndanin këtë qëndrim. Por, për fat të keq, dy-tri opsione politike ishin kundër – disat propozuan tetë njësi zgjedhore, një parti tjetër politike propozoi tre njësi zgjedhore, ndërsa BDI propozoi prag të lidhur prej pesë përqind si kusht për një njësi zgjedhore. Ishte e dukshme se është e vështirë të arrihet konsensus. Nëse arrihet konsensus, ne nuk kemi asnjë problem që të ketë një njësi zgjedhore”, theksoi Milloshoski. (INA)
