Rolando Maran u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Shqipërisë në fitoren 0-3 kundër San Marinos. Në prononcimin për FSHF TV, italiani foli për dominimin e skuadrës, debutuesit dhe uljen e ritmit pas tre golave.
Të lidhura
None found
Maran tha se Shqipëria e kërkonte fitoren me çdo kusht dhe e nisi ndeshjen fuqishëm për ta siguruar rezultatin sa më shpejt. Sipas tij, skuadra ia arriti qëllimit dhe dominoi plotësisht. Ai vlerësoi se mund të ishin shënuar më shumë gola, veçanërisht në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ritmi mund të ishte mbajtur më i lartë. Trajneri shpjegoi se ndeshjet e afërta ndikuan në uljen e intensitetit, pasi lojtarët kursyen disi energjitë, por shtoi se mbetet i kënaqur me paraqitjen dhe mënyrën si u arrit rezultati.
Përtej fitores, Maran veçoi edhe aktivizimin e lojtarëve me pak përvojë në Kombëtare. Ai tha se, nëse nuk gabonte, në këtë ndeshje pati dy debutime. Mundësia për t’i parë e provuar këta futbollistë është, sipas tij, një tjetër aspekt shumë pozitiv, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarë të rinj që veshin për herë të parë fanellën e Shqipërisë.
Duke folur për ndeshjen e radhës, Maran u shpreh se pret ta shohë sërish Shqipërinë të luftojë për çdo top dhe të kërkojë rezultatin. Ai e cilësoi përballjen të vështirë e impenjative, ndaj theksoi se skuadra duhet të shkojë me mentalitetin dhe energjitë e duhura. Shqipëria, tha ai, do të hyjë në fushë me besim, por edhe me respekt për kundërshtarin, të cilin e konsideron një skuadër të mirë.
