Në fillim të tetorit, Kirgizia pritet t’i shtohet listës së vendeve që veprojnë në hapësirë. Një nanosatelit i ndërtuar në këtë shtet të Azisë Qendrore do të dërgohet në orbitë me një raketë të kompanisë SpaceX.
Të lidhura
None found
Pajisja, me përmasa sa një bukë, është e pajisur me kamera dhe sensorë për të monitoruar të mbjellat dhe pasojat e fatkeqësive natyrore. Ajo do të shërbejë edhe për të identifikuar shenjat e para të thatësirës, njoftoi Ministria e Bujqësisë së Kirgizisë më 24 shtator.
Për ndërtimin e satelitit 5-kilogramësh punuan për dy vjet e gjysmë rreth 10 inxhinierë kirgizë, sipas Ilya Cherny, drejtor i kompanisë teknologjike Kyrgyz Electronics, e cila mbikëqyri projektin. Jetëgjatësia e parashikuar e tij është 15 vjet, ndërsa mediat vendase raportojnë se ndërtimi kushtoi rreth 130.000 dollarë.
Autoritetet kirgize thonë se sateliti është zhvilluar dhe montuar në vend. Megjithatë, Cherny bëri të ditur se shumica e teknologjive të përdorura në të janë ruse, pasi zhvillimi i tyre nga e para do të kërkonte 5-10 vjet.
Nisja nga Kalifornia, e caktuar për 1 tetor, përbën zhvillimin më të fundit të rëndësishëm në garën hapësinore që po merr hov në Azinë Qendrore.
Edhe vendet e tjera të rajonit po zgjerojnë veprimtarinë e tyre në hapësirë. Në gusht, Uzbekistani vendosi në orbitë një satelit të prodhuar në Kinë, me një modul të inteligjencës artificiale të krijuar nga specialistë të Agjencisë Uzbekcosmos. Tashkenti ka njoftuar gjithashtu se synon të prodhojë satelitin e vet deri në vitin 2028.
Kazakistani ka tashmë në orbitë disa satelitë të prodhuar brenda vendit. Në shtator, ai shpalli planet për një konstelacion ndërkombëtar me nëntë satelitë për vëzhgimin e Tokës, ku pritet të përfshihen edhe satelitë të siguruar nga Mongolia, Republika e Kongos dhe Nigeria.
Nelly Bekus, eksperte e Azisë Qendrore në Universitetin e Exeterit, i tha Radios Evropa e Lirë se shtetet që mund të ndërtojnë infrastrukturën e tyre hapësinore i shohin përpjekjet dhe shpenzimet si të arsyeshme për sigurinë kombëtare.
Sipas saj, shtimi i tensioneve gjeopolitike në botë gjatë viteve të fundit e ka bërë gjithnjë e më të rëndësishme për sigurinë e shteteve qasjen e pavarur në të dhëna satelitore, të administruara nga ekipe kombëtare.
Bekus theksoi gjithashtu se aftësitë hapësinore lidhen prej kohësh me idenë e një shteti përparimtar: ato janë një tregues i dukshëm i fuqisë teknologjike dhe i pozitës së tij në botë.
Analistë të tjerë perëndimorë kanë vënë në dukje se qeveritë autoritare priren të mbajnë mundësinë për t’i ndërprerë komunikimet gjatë trazirave civile.
Në fillim të vitit 2022, gjatë protestave masive në Kazakistan, Astana e ndërpreu internetin për disa ditë. Ndërkaq, Uzbekistani ka thënë se sateliti që planifikon të prodhojë në vend deri në vitin 2028 do të sigurojë atë që autoritetet e quajnë një burim sovran dhe objektiv informacioni.
Kontrolli i komunikimeve ishte pengesë edhe në bisedimet e Kazakistanit për ta ofruar Starlinkun për banorët e zonave rurale. Negociatat me kompaninë SpaceX të Elon Muskut ngecën për shkak të kërkesës së Astanës që stacionet tokësore, antenat që përcjellin sinjale te satelitët mbi to, të ndërtoheshin brenda vendit, në mënyrë që ajo të ruante kontrollin. /REL/
