Falimentimi i kompanive po krijon një treg të ri për të dhënat: firmat e inteligjencës artificiale (IA) kërkojnë t’i blejnë ato për të trajnuar modelet e tyre. Kjo prirje ka ngritur njëkohësisht shqetësime për sigurinë e informacionit në sektorin global të teknologjisë.
Të lidhura
None found
Google, gjigandi amerikan i teknologjisë, dhe startup-i i inteligjencës artificiale Micro1 kanë paraqitur oferta prej miliona dollarësh për komunikimet e brendshme dhe të dhënat e pasagjerëve të Spirit Airlines, pasi kompania ajrore deklaroi falimentimin.
Oferta e Google arrin në 10 milionë dollarë, ndërsa Micro1 është e gatshme të paguajë 12.5 milionë dollarë. Mundësia që informacione të ndjeshme të dalin në qarkullim ka shqetësuar furnizuesit dhe punëtorët.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Falimentimit të Nju Jorkut, në shitje janë rreth 97.5 milionë të dhëna pasagjerësh, të mbledhura që nga viti 1992. Mes tyre gjenden 13.7 milionë adresa email-i, informacione për programin e besnikërisë dhe të dhëna nga firmat partnere.
Paketa përmban edhe dosjet e personelit të më shumë se 175,000 punonjësve, si dhe 1.5 milion komunikime të brendshme të marra nga kanale të ndryshme, përfshirë emailin dhe Microsoft Teams.
Për shkak të vështirësive financiare, Spirit Airlines shiti më 25 shtator 27 avionë të vjetër Airbus për 668 milionë dollarë. Gjykata do ta miratojë shitjen e të dhënave në një seancë dëgjimore që pritet të mbahet të mërkurën.
Shitja e të dhënave nga kompani që deklarojnë falimentim është kthyer në një model biznesi global. Sipas ekspertëve ligjorë, informacionet komerciale, përfshirë të dhënat financiare, nuk mbrohen nga ligjet për mbrojtjen e të dhënave; për këtë arsye, procesi rregullohet nga marrëveshjet kontraktuale. / AA.
