Deputetja Rudina Hajdari, e ftuar në emisionin “Front line” nga gazetarja Marsela Karapanço në “News 24”, deklaroi se bandat në Elbasan kanë krijuar një pushtet të tmerrshëm.
Hajdari thekson se këta banda janë të lidhura me politikën e vjetër. Ajo shton se Elbasani sot është qarku më i varfër, duke shtuar se qytetarët do të ndëshkojnë më 25 prill, politikën e vjetër.
“Ligji nuk lejon tubime, për shkak të Covid. Partitë që do të bëjnë tubime të mëdha në kohë koronavirusi, tregon se dalin mbi ligjin, është shembull i shëmtuar i politikës së vjetër.
Kam garuar në Elbasan, sepse gjysma e origjinës sime është nga Elbasani. Elbasani po shpopullohet, qytetet po plaken, shkollat janë mbyllur. Papunësia është shumë e lartë. Bandat kanë krijuar pushtet të tmerrshëm, ndaj duhet të bëjmë luftë pa kompromis ndaj këtyre banditëve.
Të gjithë në Elbasan e dinë se bandat janë aty dhe mbështeten nga partitë, duke shpërndarë drogë. Ne si Nisma Thurje kemi listat e plota për këtë qark. Qytetarët do të ndëshkojnë politikën e vjetër. Ndonjëherë, stafi im ka përplasje në Elbasan, sepse fushata është e egër. Edhe pse në Elbasan dominojnë bandat, unë s’kam frikë. Ne do ia dalim”, u shpreh Hajdari.