Raphinha ka marrë një vendim të papritur në lidhje me menaxhimin e karrierës së tij, duke zgjedhur një përfaqësues të ri në një periudhë të rëndësishme për të ardhmen e tij te Barcelona.
Të lidhura
None found
Sipas gazetës katalanase “Sport”, sulmuesi brazilian është pranë marrëveshjes me Ali Baratin, pronarin e agjencisë “Epic Sports”. Bashkëpunimi pritet të zyrtarizohet në një kohë kur Raphinha dhe klubi katalanas po afrohen gjithashtu me një rinovim të kontratës.
Për një periudhë, Raphinha i ka menaxhuar vetë interesat e tij, pasi kishte refuzuar disa nga emrat më të njohur të tregut të agjentëve. Në këtë grup bënin pjesë Pini Zahavi dhe Jorge Mendes, ndërsa dëshirë për ta përfaqësuar kishin shfaqur edhe Giuliano Bertolucci dhe agjencia “Roc Nation”.
Në fund, braziliani vendosi t’ia besojë përfaqësimin Ali Baratit, një figurë e njohur në tregun ndërkombëtar të transferimeve. Zgjedhja shihet si befasuese, pasi deri tani nuk kishte pasur shumë shenja publike për një partneritet mes tyre.
Kjo histori lidhet edhe me marrëdhënien e mëparshme të Raphinhas me drejtorin sportiv të Barcelonës, Deco.
Kur u transferua nga Leeds United te Barcelona, Deco ishte agjenti i tij. Pas emërimit të Decos në postin e drejtorit sportiv të klubit katalanas, Raphinha vazhdoi karrierën pa një agjent të përhershëm.
Tashmë situata pritet të ndryshojë dhe Barati mund të përballet menjëherë me një detyrë të rëndësishme: negocimin e kontratës së re të Raphinhas me Barcelonën.
Barcelona synon ta mbajë brazilianin deri më 30 qershor 2030. Kontrata aktuale skadon në vitin 2028, ndaj marrëveshja e re do t’i shtonte asaj edhe dy vite.
Raphinha e ka bërë të qartë publikisht dëshirën për të qëndruar në “Camp Nou”. Në një intervistë për RAC1, ai deklaroi se dëshiron të luajë për Barcelonën edhe pas vitit 2028 dhe ta mbyllë karrierën te klubi katalanas.
Edhe paraqitjet e tij këtë sezon e shtyjnë Barcelonën të kërkojë një bashkëpunim afatgjatë. Raphinha ka shënuar 12 gola në shtatë javët e para të La Ligës, si dhe dy gola në Ligën e Kampionëve.
Bilanci i tij i përgjithshëm është 14 gola në tetë ndeshje zyrtare këtë sezon.
