Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është takuar me një numër përfaqësuesish ndërkombëtarë dhe partnerësh të Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ka zhvilluar bisedime me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlic Radman.
Gjatë këtij takimi u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kroacisë, me theks të veçantë te siguria, mbrojtja dhe avancimi i perspektivës euroatlantike të Kosovës. Sipas Konjufcës, partneriteti i ndërtuar ndër vite krijon hapësirë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Konjufca ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, të cilit i ka ngritur shqetësimin për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas qëndrimit të shprehur prej tij, ky aktgjykim e shtrembëron të vërtetën historike dhe përbën një padrejtësi serioze, ndaj duhet të korrigjohet në shkallën e Apelit.
Një tjetër takim është zhvilluar me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, L.T. Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Konjufca i ka cilësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Emirateve, ndërsa ka theksuar synimin për t’u dhënë atyre përmbajtje më të madhe ekonomike përmes rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit konkret në vitet e ardhshme.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri kosovar është takuar gjithashtu me ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar. Ai ka shkëmbyer mendime edhe me kryeministrin e Ruandës, Justin Nsengiyumva, dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Olivier Nduhungirehe, me të cilët ka diskutuar forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën.
Konjufca ka deklaruar se nga Nju Jorku do të vijojë angazhimi për konsolidimin e partneriteteve të Kosovës dhe avancimin e interesave të saj në arenën ndërkombëtare.
