Për Milot Avdylin, paraqitja me përfaqësuesen A të Kosovës është një përjetim i veçantë dhe krejt ndryshe nga angazhimi në grupmoshat e tjera të “Dardanëve”.
Të lidhura
None found
Sulmuesi, i cili ka kaluar nëpër të gjitha gjeneratat e Kosovës, është ftuar për herë të parë nga përzgjedhësi Franco Foda për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së, Avdyli u shpreh se ndihet i gatshëm të tregojë vlerat e tij dhe shpreson që ekipi të zhvillojë katër takime shumë të mira.
Ai e përshkroi si “ndjenjë të papërshkrueshme” aktivizimin me kombëtaren A, duke theksuar se kjo përvojë dallon dukshëm nga paraqitjet me ekipet e moshave.
Avdyli foli edhe për pritjen që i është bërë në grumbullim. Sipas tij, disa prej futbollistëve i njihte nga më parë, ndërsa lojtarët me më shumë përvojë e kanë mirëpritur atë dhe dy futbollistët e tjerë në mënyrë shumë pozitive.
Sulmuesi kosovar beson se përfaqësuesja mund të arrijë rezultate të mira, duke u mbështetur te kombinimi mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë, të cilët mund të bëjnë diferencën dhe t’i fitojnë ndeshjet.
Kosova do t’i zhvillojë edhe dy seanca stërvitore të mërkurën, përpara përballjes me Irlandën. Ndeshja do të luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke nisur nga ora 20:45.
