Pas vendimit të Gjykatës Speciale, zyrtari i Aleancës, Daut Haradinaj, ka kërkuar që dallimet politike të lihen mënjanë dhe institucionet të veprojnë përmes një qëndrimi të përbashkët.
Të lidhura
None found
Ai ka deklaruar se, përballë asaj që e cilëson si një gjykatë politike, të gjithë faktorët politikë duhet të kapërcejnë interesat e ngushta dhe përplasjet e përditshme.
Sipas Haradinajt, një plan vetëm në nivel shtetëror nuk mjafton. Ai kërkon një qasje gjithëkombëtare, e cila duhet të ndërtohet në bashkërendim me faktorët vendorë, Shqipërinë dhe aleatët ndërkombëtarë.
Haradinaj ka theksuar se strategjia ndaj kësaj gjykate duhet t’i nxjerrë të gjithë mbi politikat e ditës, të brendshme e banale, ndërsa një strategji shtetërore duhej të ishte tashmë e padiskutueshme.
Ai ka shtuar se hapat e ardhshëm duhet të koordinohen me secilin faktor vendor dhe me aleatët ndërkombëtarë. Sipas tij, nuk është koha që palët t’ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës apo ta hedhin topin nga njëra anë në tjetrën.
Duke thënë se populli ndodhet në sheshe, Haradinaj ka bërë thirrje që politika të ulet urgjentisht në tavolinë, jo nëpër qoshe për pushtet, por për ide dhe reagime shtetërore, së bashku me Shqipërinë dhe aleatët.
