Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka depozituar të hënën në Kuvend një projektligj që synon ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se kjo lëvizje vjen si pasojë e shqetësimeve të ngritura gjatë demonstratave të fundit kundër dënimit të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përkrahur iniciativën, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dalë ende me një qëndrim formal.
Të lidhura
None found
Sipas dokumentit të propozuar që konsultoi Radio Evropa e Lirë, një nga pikat kryesore është vendosja e një kufiri maksimal dënimi prej 15 vitesh burgimi, si dhe hapja e rrugës që personat e dënuar të përfitojnë nga falja e presidentes së vendit.
Në arsyetimin e amendamenteve, theksohet se ndërhyrja në ligj u bë e domosdoshme pas vendimit të 16 shtatorit, i cili e cilësoi UÇK-në si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Sipas hartuesve, ky klasifikim sjell pasoja të rënda për shtetin, historinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ata argumentojnë se Gjykata u ngrit me premisën e gjykimit të përgjegjësisë individuale penale, por vendimi në fjalë bie ndesh me garancitë e mëparshme se procesi nuk do të vinte në dyshim legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin për çlirim.
Propozimi parashikon ngushtimin e mandatit të gjykatës ekskluzivisht për veprat e përmendura në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011. Qëllimi, siç shpjegohet, është shndërrimi i saj në një mekanizëm të jashtëzakonshëm dhe krijimi i bazës ligjore për transferimin e detyruar të dosjeve dhe të ndaluarve drejt sistemit të rregullt gjyqësor kosovar.
Po ashtu, amendamenti synon që dënimet e shqiptuara të ekzekutohen në burgjet e Kosovës. Dokumenti kërkon që presidenti të ketë kompetencën e faljes për personat e dënuar nga Specialja. Ndonëse Ligji aktual për Faljen përjashton veprat kundër së drejtës ndërkombëtare, ku përfshihen edhe krimet e luftës, nisma synon ta kapërcejë këtë pengesë.
Një tjetër pikë kyçe është fokusimi i juridiksionit vetëm në akuzat për trafikim organesh të detajuara në raportin e Dick Martyt. Propozimi kufizon ndjekjen penale për vepra të tjera, si krimet e përgjithshme të luftës, vetëm nëse ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e marrjes së paligjshme të organeve. Për pasojë, kërkohet heqja e kompetencës së gjykatës për të ndjekur krime lufte apo dhunë politike që nuk kanë këtë lidhje të drejtpërdrejtë.
Ndryshimet prekin edhe harkun kohor nën hetim, duke propozuar periudhën nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, ndryshe nga afati aktual që fillon në janar 1998. Territori i veprave po ashtu do të kufizohej vetëm brenda kufijve të Kosovës, duke përjashtuar hetimet për ngjarje jashtë saj, sikurse ato në veri të Shqipërisë që ka trajtuar Prokuroria e Specializuar deri tani.
Në planin procedural, kërkohen mekanizma të shpejtë për verifikimin e kompetencës dhe u jepet e drejta palëve të ankohen në Gjykatën Supreme në Prishtinë. Në rast se një çështje bie jashtë juridiksionit të ri, ajo së bashku me provat dhe të akuzuarit, do t’i kalonte sistemit vendor të drejtësisë, respektivisht Departamentit Special të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Një dispozitë e rëndësishme parasheh që çdo person i arrestuar të sillet para një gjykatësi në Kosovë brenda 48 orësh për vlerësimin e masës së sigurisë sipas legjislacionit vendas. Gjithashtu, trupat gjykues do të detyroheshin të rishqyrtonin juridiksionin e çdo lënde brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dokumenti saktëson se për rastet me akuza të përziera, pjesa që nuk përputhet me mandatin e ri do të anulohet dhe do të veçohet për transferim.
Gjatë paraqitjes para mediave, Hamza u shpreh se qëllimi nuk është as shuarja e Gjykatës, as pengimi i hetimeve për pretendimet serioze si trafikimi i organeve, por qartësimi i kompetencave të saj. Ai shtoi se për rastet që ndodhen tashmë në apel, procesi do të vijojë në strukturën aktuale, por në rast të një rigjykimi të mundshëm, do të zbatohej juridiksioni i kufizuar dhe lënda mund të transferohej në Kosovë.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, bëri thirrje për unitet dhe koordinim institucional, duke kërkuar lënien mënjanë të akuza reciproke si tradhti dhe spiunazh për të vendosur një qasje të përbashkët pas këtij vendimi gjyqësor. Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për miratimin e një rezolute të re dhe angazhimin e plotë diplomatik për procesin e apelit.
Nisma përkon me natën e gjashtë të protestave në kryeqytet kundër dënimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator. Ata morën dënime përkatësisht me 25, 18, 25 dhe 13 vjet burgim për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Organizatorët e tubimeve kërkojnë ndër të tjera shkarkimin e ministres Donika Gërvalla dhe sigurimin e fondeve për mbrojtjen e të akuzuarve.
Nga ana ligjore, eksperti Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi paralajmëroi se nëse dispozitat e reja penale janë më të buta, ato mund të kërkohet të zbatohen në proceset aktive në Hagë, në bazë të parimit të zbatimit të ligjit më të favorshëm. Ai saktësoi se një kërkesë e tillë do të shqyrtohej nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e cila mban juridiksion ekskluziv, dhe jo nga ajo në Prishtinë, duke iu referuar një aktgjykimi të vitit 2020. Po ashtu, Miftaraj përmendi mundësinë që Avokati i Popullit në Hagë të ngrejë çështjen e ligjshmërisë.
PDK-ja, duke mos i pasur votat e mjaftueshme vetëm me 22 deputetë, kërkon nënshkrimet e kolegëve të tjerë për të arritur kuorumin e nevojshëm për një seancë të jashtëzakonshme. Hamza konfirmoi se ka pasur diskutime paraprake me subjektet e tjera politike dhe ftoi mbështetjen e tyre, duke përfshirë edhe propozimin që vëzhgues ndërkombëtarë të pavarur të monitorojnë respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave të të akuzuarve në Gjykatën Speciale.
