Infrastruktura dhe industria e Ukrainës janë dëmtuar rëndë nga sulmet ruse, të cilat kanë paralizuar edhe prodhimin e çelikut, një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë së vendit.
Të lidhura
None found
Financial Times raporton se raketat balistike kanë dëmtuar ose kanë bërë të papërdorshme tri fabrikat kryesore të çelikut që vazhdonin të funksiononin në Ukrainë, të vendosura në zonat e Zaporizhzhias dhe Dnipropetrovskut. Si pasojë e goditjeve kanë humbur jetën 17 punëtorë.
“Që nga sot, Ukraina nuk ka më një industri çeliku”, citohet të ketë deklaruar Oleksandr Vodoviz, drejtues në kompaninë ukrainase të çelikut Metinvest, e cila ka në pronësi dy nga fabrikat e goditura.
Pasojat e luftës janë ndier fuqishëm edhe në pjesë të tjera të ekonomisë. Të dhënat e cituara nga Financial Times tregojnë se është shkatërruar thuajse gjysma e sipërfaqes së depove moderne të Ukrainës, ndërsa një pjesë e madhe e dëmeve është regjistruar vetëm gjatë muajve të fundit.
Duke goditur infrastrukturën ekonomike dhe logjistike, Rusia synon të kufizojë aftësinë e Ukrainës për të mbajtur në funksion ekonominë dhe për të përballuar përpjekjet e luftës.
Intensifikimi i sulmeve nga ajri ka bërë që Banka Qendrore e Ukrainës të paralajmërojë një ulje të mundshme të parashikimit për rritjen ekonomike gjatë këtij viti. Rritja e PBB-së mund të kufizohet në 1.1–1.2%, krahasuar me objektivin e mëparshëm prej 1.8%.
Në të njëjtën kohë, Rusia ka shtuar goditjet me dronë dhe raketa, duke ndërmarrë sulme të përsëritura kundër Kievit, si edhe ndaj objektivave ekonomikë dhe logjistikë në pjesë të ndryshme të Ukrainës.
