Në shtator, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, qëndroi për një vizitë pune në Tirolin e Jugut. Në qendër të vizitës ishin autonomia, bashkëqeverisja, garantimi i të drejtave të komuniteteve dhe barazia mes gjuhëve.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit atje, Osmani pati mundësi të njihej drejtpërdrejt me mekanizmat konkretë që institucionet e Tirolit të Jugut kanë ngritur për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore, përfaqësimin proporcional dhe përfshirjen e komuniteteve në jetën institucionale e publike.
Ai vizitoi edhe Zyrën për të Drejtat Gjuhësore dhe të Drejtat e Njeriut pranë Parlamentit të Tirolit të Jugut. Në takimet e zhvilluara aty u diskutua për instrumentet juridike dhe institucionale që sigurojnë përdorimin e gjuhëve, zbatimin e parimit të barazisë dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.
Në kuadër të vizitës, Osmani u takua gjithashtu me kryetarin e Parlamentit të Tirolit të Jugut, Angelo Gennaccaro. Bashkëbisedimi u përqendrua te mënyra se si është ndërtuar bashkëjetesa në Tirolin e Jugut dhe te garancitë që institucionet u ofrojnë komuniteteve gjuhësore.
Gennaccaro shpjegoi karakteristikat institucionale të këtij modeli, ndërsa shprehu gatishmëri që kontaktet dhe shkëmbimi i përvojave të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Një tjetër ndalesë me rëndësi ishte Eurac Research, qendra kërkimore me seli në Bolzano. Atje, Osmani bisedoi me ekspertë dhe studiues që merren me autonominë, qeverisjen dhe të drejtat e minoriteteve. Takimet trajtuan legjislacionin dhe mekanizmat mbi të cilët mbështetet modeli i Tirolit të Jugut, përfshirë zhvillimin e tyre dhe funksionimin në praktikë. Qendra për Autonomy Experience në kuadër të Eurac Research është e përqendruar posaçërisht te autonomia e Tirolit të Jugut, mbrojtja e minoriteteve, si dhe modelet e përfaqësimit dhe qeverisjes.
Osmani deklaroi se Tiroli i Jugut përfaqëson një prej modeleve evropiane më të konsoliduara për autonominë, bashkëqeverisjen dhe barazinë gjuhësore. Sipas tij, rëndësi të veçantë ka fakti se këto parime nuk kufizohen vetëm në planin politik, por mbështeten nga garanci kushtetuese, ligjore dhe institucionale.
Ai vlerësoi se përvoja e Tirolit të Jugut ka rëndësi të posaçme për Maqedoninë e Veriut. Osmani sqaroi se kjo përvojë nuk duhet të kopjohet në mënyrë mekanike, por të shërbejë si shembull evropian për nxjerrjen e mësimeve që mund të fuqizojnë bashkëjetesën, barazinë dhe pjesëmarrjen e komuniteteve.
Duke iu referuar Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Osmani theksoi se ajo krijoi një arkitekturë të rëndësishme për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se rasti i Tirolit të Jugut dëshmon se parimet e bashkëjetesës mbeten pa mbrojtjen e duhur nëse mungojnë institucionet e fuqishme, zbatimi konsekuent i ligjit dhe mekanizmat e përcaktuar qartë për garantimin e të drejtave. Për këtë arsye, sipas tij, detyrë është mbrojtja dhe forcimi i kësaj arkitekture, duke e avancuar në pajtim me standardet evropiane.
Vizita ishte pjesë e interesimit për modelet evropiane të administrimit të diversitetit dhe për përvojat institucionale që mund të ndihmojnë në forcimin e kohezionit, barazisë dhe stabilitetit në Maqedoninë e Veriut.
