Prania e shpeshtë e Anton Afinogenovit në krah të Presidentit rus Vladimir Putin, gjatë udhëtimeve dhe daljeve publike, ka ngjallur interes të madh, veçanërisht për shkak të paraqitjes së tij fizike.
Të lidhura
None found
Afinogenov shërben në Shërbimin e Sigurisë Presidenciale të Rusisë (SBP), ndërsa disa admirues e kanë pagëzuar si “agjenti 007” personal të Putinit. Edhe pse prej vitesh ai figuron në fotografi dhe materiale të ndryshme zyrtare, informacionet personale për të janë thuajse të papublikuara. Nuk dihen mosha, grada, vendlindja apo arsimimi i tij.
“The Sun” raporton se truproja është kthyer në një personazh mjaft të diskutuar në rrjetet sociale. Për të janë hapur madje edhe faqe fansash, ku përmendet me nofkat “AA” dhe “Handsome Anton”.
Dalja e parë e dokumentuar e Afinogenovit pranë Putinit daton në korrik të vitit 2011, ndonëse ekziston mundësia që ai t’i jetë bashkuar ekipit të sigurisë edhe më herët.

Emri i tij u bë i njohur publikisht në mars të vitit 2025. Në atë kohë, Dossier Centre publikoi një listë me truprojat që gëzonin besimin dhe autorizimin e nevojshëm për të shoqëruar Putinin jashtë Rusisë. Nga shqyrtimi i arkivave zyrtare fotografike, Afinogenov rezultoi mes nëntë truprojave që ishin parë më shpesh me presidentin rus gjatë udhëtimeve të tij.
Megjithëse janë bërë përpjekje për të siguruar më shumë hollësi mbi pjesëtarët e ekipit të sigurisë, të dhënat e zbuluara për Afinogenovin mbeten shumë të kufizuara.

Raportimet thonë se ai ka një trup shumë muskuloz dhe peshon mbi 100 kilogramë. Burime të cituara në media pretendojnë se Afinogenov ka përgatitje paraushtarake dhe eksperiencë në artet marciale. Këto tipare kanë bërë që përdoruesit e rrjeteve sociale ta krahasojnë me personazhe të filmave aksion dhe ta quajnë “super ushtar”.
Në internet kanë qarkulluar gjithashtu teori të pakonfirmuara, sipas të cilave aftësitë dhe fiziku i tij mund të lidhen me programe sekrete për “përmirësimin bioteknologjik” të ushtarëve. Megjithatë, nuk ekzistojnë prova publike që i mbështesin pretendime të tilla.

Mbrojtja e Putinit konsiderohet ndër sistemet më të rrepta të sigurisë në botë. Sipas raportimeve, përzgjedhja e truprojave bëhet duke marrë parasysh cilësitë e tyre fizike dhe psikologjike. Përpara çdo udhëtimi presidencial zhvillohen gjithashtu verifikime të hollësishme në vendet që Putin pritet të vizitojë.
Raporte të tjera bëjnë të ditur se pjesëtarët e sigurisë përdorin pajisje të posaçme mbrojtëse. Në afërsi të presidentit rus kufizohet edhe përdorimi i celularëve dhe i pajisjeve të tjera elektronike.

Niveli i lartë i sekretit që rrethon ekipin presidencial ka ndikuar që Anton Afinogenov të vazhdojë të jetë një nga personazhet më enigmatike të sigurisë së Putinit. Ndërkohë, fotografitë ku ai shfaqet pranë liderit rus po ushqejnë interes gjithnjë e më të madh në rrjetet sociale.
