Rita Flores, artiste dhe aktiviste ruse e lidhur më parë me kolektivin Pussy Riot, pretendon se për tre vjet u vu nën trysninë e shërbimit sekret rus FSB. Sipas saj, ajo u detyrua të bashkëpunonte, të siguronte të dhëna për aktivistë të tjerë dhe, në fund, të ndihmonte në një operacion për rrëmbimin dhe vrasjen e një kundërshtari të Kremlinit.
Të lidhura
None found
29-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Margarita Konovalova, thotë se kontaktet e saj me FSB-në nisën në shkurt të vitit 2023, pasi policia kontrolloi banesën e saj.
Siç ka treguar ajo, pas kontrollit iu afruan dy burra që u paraqitën si oficerë të FSB-së. Ata dyshohet se e kërcënuan me nisjen e një procedimi penal për shkak të një postimi në Instagram, në të cilin ajo kishte dënuar vrasjet e kryera nga Rusia në Ukrainë, raporton Guardian.
Flores deklaron se kërcënimet përfshinë edhe nënën e saj. Sipas artistes, oficerët i thanë se mund të organizonin vrasjen e saj nëse ajo refuzonte të punonte për ta.
Ajo rrëfeu se u besoi kërcënimeve dhe ishte e bindur se ata mund të realizonin gjithçka që thoshin. Frika, sipas saj, ishte shumë e madhe, ndërsa shqetësohej si për familjen, ashtu edhe për sigurinë e vet.
Pasi pranoi bashkëpunimin, Flores thotë se mori vetëm një pagesë, në vlerën e rreth 30-40 mijë rublave.
Detyrat e saj fillestare, sipas dëshmisë së saj, kishin të bënin me grumbullimin e informacioneve për artistë dhe aktivistë të tjerë opozitarë që ishin pjesë e rrethit të saj shoqëror.
Dy oficerët që dyshohet se e rekrutuan u kthyen në “menaxherët” e saj dhe caktonin vazhdimisht takime me të. Flores e përshkruan njërin prej tyre, të cilin e quan “Ivan”, si më miqësor dhe të përqendruar te fitimi i besimit të saj. Tjetrit ajo i kishte vendosur nofkën “Jacket” dhe thotë se ai shfaqej më agresiv dhe kërcënues.
Sipas Flores, Ivani i kishte thënë se FSB-ja dhe ai vetë do ta “riedukonin”, në mënyrë që ajo të bënte një jetë të qetë, ta donte Rusinë, të kishte fëmijë dhe të bëhej një bashkëshorte e bindur.
Megjithëse ishte urdhëruar ta mbante të fshehtë rekrutimin, artistja deklaron se ua tregoi menjëherë ngjarjen rreth 20 personave.
Ajo këmbëngul se nuk ua dorëzoi oficerëve të dhënat që kërkonin për artistët e tjerë. Përkundrazi, Flores thotë se sajonte përplasje me ta, me qëllim që t’i largonte nga vetja dhe të shmangte marrjen e informacioneve sensitive prej tyre.
Në maj të vitit të kaluar, sipas saj, oficerët e FSB-së filluan ta pyesnin për Pyotr Verzilov. Aktivisti, i lidhur më parë me Pussy Riot, jeton në Ukrainë dhe lufton kundër Rusisë në radhët e ushtrisë ukrainase.
Flores pretendon se fillimisht iu kërkua të gjente adresën e Verzilovit. Më pas, FSB-ja dyshohet se i kërkoi të shfrytëzonte miqësinë e dikurshme me të për ta bindur që të takohej me të në Serbi.
Sipas versionit të saj, oficerët i shpjeguan se Verzilov do të rrëmbehej dhe do të vritej në Serbi nga një grup i FSB-së. Për realizimin e kësaj detyre, Flores thotë se iu premtua një pagesë shtesë prej 50 mijë rublash në muaj.
The Guardian nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime. Gazeta vëren, megjithatë, se gjatë viteve të fundit janë dokumentuar raste kur shërbimet e sigurisë kanë depërtuar brenda grupeve opozitare ruse.
Ndërsa pretendon se vazhdonte të përdorej dhe të kërcënohej nga FSB-ja, Flores nisi të përgatiste largimin e saj nga Rusia.
Ajo u martua me partnerin në shtatorin e kaluar dhe, sipas rrëfimit të saj, e përdori martesën si arsye për t’iu shmangur misionit në Serbi. Oficerëve u tha se bashkëshorti nuk do ta lejonte të udhëtonte për t’u takuar me një burrë tjetër.
Më vonë, Flores kontaktoi avokatin Dmitry Zakhvatov, me të cilin filloi të organizonte largimin nga vendi.
Mënyra se si u realizua arratisja nuk është zbuluar. Arsyetimi i dhënë është se publikimi i hollësive mund të cenonte metoda që mund të shërbejnë në të ardhmen për të ndihmuar persona të tjerë në rrethana të ngjashme.
Flores arriti të largohej nga Rusia në fund të gushtit.
Në intervistën e parë për mediat pas largimit, ajo tha se për herë të parë pas shumë vitesh ndihej e qetë. Flores shtoi se gjatë gjithë asaj periudhe kishte ëndërruar të ikte dhe të mund të tregonte gjithçka.
Pas daljes nga Rusia, ajo dhe avokati i saj publikuan një dëshmi në video. Flores tha se synonte t’u jepte kurajë personave të tjerë të rekrutuar nga FSB-ja që t’i ndërprisnin marrëdhëniet me shërbimin sekret.
Historia e saj është mbështetur nga disa përfaqësues të opozitës ruse që jetojnë në mërgim. Në të njëjtën kohë, ajo është kritikuar për faktin se bashkëpunimi i saj vazhdoi për një periudhë të gjatë.
Aktivistja e Pussy Riot, Masha Alekhina, u shpreh se frika është në gjendje ta ndryshojë një njeri.
Sipas Alekhinës, rëndësi ka që Flores tani ndodhet jashtë Rusisë dhe ka folur publikisht për përvojën e saj. Ajo shtoi se, nga sa di, si pasojë e veprimeve të Flores askush nuk u vra dhe askush nuk përfundoi në burg.
Tani Flores thotë se synon të ndihmojë të tjerë që mund të përballen me të njëjtën situatë. Ajo beson gjithashtu se përpjekjet e FSB-së për të rekrutuar aktivistë janë shumë më të përhapura sesa duket në publik.
