Rritja e kostos së jetesës, po thellon vështirësitë ekonomike për gjithnjë e më shumë familje shqiptare. Ushqimet, qiratë, karburanti, veshjet dhe nevojat e fëmijëve zënë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit. Në emisionin “News24 Fundjavë” në News24, qytetarë dhe ekspertë treguan sakrificat që bëhen çdo ditë për të siguruar shpenzimet më të domosdoshme.
Ekonomistja Romina Radonshqi, deklaroi se pothuajse çdo nevojë familjare ka tashmë një çmim të lartë. Krahas ushqimit dhe qirasë, financat rëndohen ndjeshëm edhe nga librat, veshjet, aktivitetet e fëmijëve dhe dhuratat për mësuesit.
Të lidhura
None found
Ajo theksoi se asgjë nuk ofrohet falas dhe se gjatë muajve të verës vihet re një rritje e çmimeve.
Për mësuesin dhe aktivistin Olgert Rakipllari, pushimet nuk janë më të përballueshme për shumë familje, por janë shndërruar në luks.
Sipas tij, vera sjell një sërë kostosh shtesë që e bëjnë edhe më të vështirë administrimin e buxhetit. Rakipllari tha se nuk mund të flitet për pushime kur çështja kryesore është mbijetesa, ndërsa i cilësoi sublime sakrificat e prindërve.
Vështirësitë e saj i rrëfeu edhe Salo Salillari, një nënë e divorcuar që po rrit fëmijët. Ndonëse merr ndihmë nga ish-bashkëshorti, ajo tha se mezi arrin t’i përballojë shpenzimet për shkak të çmimeve që, sipas saj, kanë arritur “në stratosferë”.
Për t’u siguruar fëmijëve kushtet minimale, Salillari punon nga ora 8 e mëngjesit deri në 9 të darkës, çka i lë shumë pak kohë për të qëndruar me ta.
Ajo tregoi se ka kaluar ditë të gjata dhe momente të vështira, gjatë të cilave mendonte se si do t’ia dilte. Sipas Salillarit, Shqipëria nuk ofron shumë mundësi, ndërsa çmimet e banesave, naftës dhe produkteve të tjera janë të ndërlidhura në një zinxhir kostosh.
Salillari sqaroi se problemet financiare nuk kufizohen vetëm në një stinë, por vazhdojnë gjatë gjithë vitit. Mes barrëve kryesore ajo përmendi qiratë dhe ushqimet, duke shtuar se edhe disa trajtime shëndetësore janë bërë luks për familjet.
Edhe ekonomistja Romina Radonshqi, vuri në dukje se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të shqiptarëve përdoret për nevojat bazë, kryesisht për ushqime dhe qira.
Ajo tha se qytetarët shpenzojnë më së shumti për konsum dhe nevoja fiziologjike, ndërsa në situata të vështira detyrohen të kursejnë deri edhe te medikamentet, të cilat nuk trajtohen si shpenzim bazë.
Diskutimi në studio evidentoi se, për shumë familje, pushimet dhe shpenzimet e tjera nuk janë më përparësi. Shqetësimi kryesor mbetet përballimi i jetesës së përditshme dhe garantimi i kushteve minimale për fëmijët.
