Një automjet i mbushur me eksplozivë shpërtheu pranë një xhamie në veriperëndim të Pakistanit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 16 personave, mes tyre pesë efektivëve të policisë.
Të lidhura
None found
Shpërthimi ndodhi në distriktin Kohat, në provincën Khyber Pakhtunkhwa, në afërsi të selisë së policisë.
Pas incidentit, sulmuesit u përfshinë në një përleshje me armë me forcat e sigurisë. Autoritetet bëjnë të ditur se një nga sulmuesit është vrarë, ndërsa ekipet vijojnë operacionin e shpëtimit.
Kryeinspektori i policisë së Khyber Pakhtunkhwa, Zulfikar Hameed, deklaroi se bëhet fjalë për një sulm vetëvrasës. Deri tani, përgjegjësinë për ngjarjen nuk e ka marrë përsipër asnjë grup.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit. Shpërthimi u dënua edhe nga kryeministri Muhammad Shehbaz Sharif.
Ngjarja është regjistruar në një kohë kur aktiviteti militant në zonat kufitare të Pakistanit është shtuar ndjeshëm, ndërsa ushtria dhe policia mbeten ndër objektivat kryesore.
Autoritetet e Pakistanit kanë deklaruar se militantët përdorin baza në Afganistan për të organizuar dhe realizuar sulme në territorin pakistanez. Qeveria talebane në Kabul i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke e përshkruar militantizmin si një çështje të brendshme të Pakistanit.
