Pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, deklaroi se shqyrtimi i çështjes në shkallën e dytë mbetet mundësia e vetme për rivendosjen e drejtësisë.
Të lidhura
None found
Sipas Qelajt, institucionet e Kosovës duhet të tregojnë më shumë vëmendje dhe të kërkojnë llogaridhënie për veprimet dhe vendimet e Gjykatës Speciale.
“Vlerësoj se padrejtësia tashmë është bërë. E vetmja rrugë për ta rikthyer drejtësinë është që të merret një vendim i drejtë”, deklaroi ai.
Avokati i Popullit nënvizoi se drejtësia e një gjykimi nuk mund të kufizohet te një përmbyllje formale juridike. Sipas tij, ajo duhet të burojë nga një proces i pavarur dhe i paanshëm, i aftë të fitojë besimin e publikut.
“Besimi qytetar ka rëndësi thelbësore. Duke parë reagimet publike, mund të them pa asnjë mëdyshje se Gjykata nuk ka arritur ta krijojë këtë besim te qytetarët e Kosovës”, tha Qelaj.
Ai kërkoi që mbrojtja të angazhohet fuqishëm gjatë procesit të apelit, ndërsa ekipet profesionale mbështetëse të paraqesin argumente konkrete që do të ndihmonin në arritjen e një përfundimi të drejtë.
“Për aq kohë sa publiku nuk bindet se verdikti është i drejtë, nuk mund të thuhet se drejtësia ka triumfuar, as për viktimat dhe as për të akuzuarit”, u shpreh Qelaj.
Në fund, Avokati i Popullit paralajmëroi se shpallja fajtor e një personi të pafajshëm do të sillte pasoja serioze, jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për sistemin juridik dhe gjyqësor të Kosovës.
